Botë

Zbulohet ndërlidhja e forcave britanike me vdekjen e rreth 300 civilëve afganë

Shënimet zyrtare të Ministrisë kanë treguar se forcat britanike janë të ndërlidhura me vdekjen e 86 fëmijëve dhe më se 200 civilëve të rritur gjatë konfliktit në Afganistan, teksa vetëm rreth 2.380 funte kompensim janë paguar për secilën jetë të humbur

Forcat britanike janë të ndërlidhura me vdekjen e 86 fëmijëve dhe më se 200 civilëve të rritur gjatë konfliktit në Afganistan, teksa vetëm rreth 2.380 funte kompensim janë paguar për secilën jetë të humbur, kanë treguar të enjten të dhënat më të fundit të shpalosura nga e përditshmja britanike “Guardian”.

Këto të dhëna janë evidentuar në shënimet zyrtare të Ministrisë së mbrojtjes. Sipas tyre, viktima civile më e re në moshë ishte trevjeçare.

“Një prej incidenteve më serioze të listuara në të dhëna është dëmshpërblimi prej 4,233.60 funtesh paguar një familjeje, pas vdekjes së katër fëmijëve, të cilët ishin vrarë gabimisht gjatë një incidenti në dhjetorin e 2009-s”, ka raportuar gazeta britanike.

Disa prej pagesave, madje, kapnin vlerën më të ulët sesa disa qindra funte. Gazeta ka specifikuar se në shkurtin e 2008-s, një familje kishte marrë 104.17 funte dëmshpërblim pas një fataliteti të konfirmuar dhe dëmtimit të pronës në krahinën Helman, derisa një tjetër është kompensuar me 586.42 funte për vdekjen e të birit 10-vjeçar në dhjetorin e 2009-s.

Të dhënat janë përpiluar nga “Action on Armed Violence” (AOAV), e cila i ekzaminoi shënimet me rastin e tërheqjes së forcave perëndimore nga Afganistani, zhvillim ky që kulmoi me skena kaotike në aeroportin e kryeqytetit, Kabul.

Përqendrimi në viktimat civile në Afganistan është rikthyer pasi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtrënguar që të pranojnë se nga një sulm me dron muajin e kaluar të vdekur kanë mbetur 10 civilë, përfshirë shtatë fëmijë, dhe jo militantë të Krahinës Khorasan të Shtetit Islamik (ISKP), siç kishte pretenduar në fillim.

“Një gabim i tmerrshëm është bërë”, kishte thënë gjenerali Kenneth McKenzie, komandanti i Komandës Qendrore amerikane, kujton “Guardian”.

Në shënimet britanike, shumica e incidenteve janë regjistruar vetëm shkurtimisht.

Murray Jones, autor i kërkimit, ka theksuar për “Guardian” se “këto dosje nuk përbëjnë një lexim të lehtë”.

“Banaliteti i gjuhës nënkupton se me qindra vdekje tragjike, përfshirë edhe ato të dhjetëra fëmijëve, përmenden më shumë sikurse numra”, ka theksuar ai.

AOAV-ja ka përllogaritur se 20,390 civilë janë vrarë apo lënduar nga forcat ndërkombëtare dhe afgane gjatë konfliktit 20-vjeçar, ndonëse kjo shifër përbën një të tretën e numrit të atyre që janë vrarë nga talebanët dhe kryengritësit e tjerë. Gjithsej 457 ushtarë britanikë kanë vdekur gjatë po kësaj periudhe, kujton gazeta britanike.

Shënimet tregojnë se në total 688,000 funte dëmshpërblim janë paguar nga ushtria britanike për incidentet që përfshijnë 289 vdekje midis viteve 2009 dhe 2013.

“Në disa raste, pagesat për dëmtim të pronave ishin më të mëdha sesa ato që janë regjistruar për humbje të jetës. Gjatë viteve 2009-2010, Ministria e Mbrojtjes ka ndarë dëmshpërblim prej 873 funtesh për dëmtimin e një vinçi dhe 662 funte për vdekjen e gjashtë gomarëve”, ka cituar “Guardian” të dhënat e raportit.

Të dhënat e tilla janë përpiluar për të përcaktuar se sa civilë mund të jenë vrarë nga forcat britanike në Afganistan.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes ka thënë se shuma e kompensimeve të paguara në akëcilin rast është përcaktuar bazuar në parimet ligjore, si dhe zakonet e doket lokale.

“Secila vdekje civile është tragjedi dhe Britania e Madhe përherë synon që t’i minimizojë viktimat civile nëpërmjet proceseve tona rigoroze të shënjestrimit, por ky rrezik kurrë nuk mund të eliminohet tërësisht”, kanë thënë zyrtarë të Ministrisë që folën për “Guardianin”.