Botë

SHBA-ja do t’i paguajë të afërmit e afganëve që i vrau gabimisht në një sulm me dron

Departamenti amerikan i mbrojtjes ka bërë të ditur se do të ofrojë pagesa për të afërmit e 10 civilëve afganë të vrarë si pasojë e një gabimi gjatë një sulmi me dron në Kabul.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby, ka thënë në një deklaratë se Departamenti i Mbrojtjes po punon gjithashtu me Departamentin e Shtetit për të ndihmuar anëtarët e familjes që mbijetuan të zhvendoseshin në Shtetet e Bashkuara.

Kirby ka thënë se çështja lindi në një takim të enjten midis Dr Colin Kahl, nën sekretar i mbrojtjes për politikat, dhe Dr. Steven Këon, themelues dhe president i grupit jofitimprurës Nutrition & Education International.

“Dr. Kahl përsëriti angazhimin e Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin ndaj familjeve, përfshirë ofrimin e pagesave të ngushëllimeve ex gratia”, ka thënë Kirby. Ai nuk tha se sa para do të ofroheshin.

Më 29 gusht, një raketë amerikane Hellfire goditi një makinë të drejtuar nga Zemerai Ahmadi, e cila sapo ishte tërhequr në vendkalimin e kompleksit të familjes Ahmadi. Në total, 10 anëtarë të familjes, përfshirë shtatë fëmijë, u vranë në sulm.