Në Samitin për Demokraci, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se shteti i tij është i përkushtuar për zhvillimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Në fjalimin e tij, ai ka thënë se Serbia është “e përkushtuar plotësisht në vlerat evropiane” dhe se anëtarësimi në BE është prioritet kyç.
“Shteti ynë vazhdimisht po punon që të forcojë një shoqëri demokratike ku të gjithë qytetarët kanë të drejta të barabarta dhe mundësi për të zhvilluar potencialin e tyre në të gjitha aspektet, kulturore, politike, sociale dhe ekonomike. Jemi të përkushtuar për ta luftuar korrupsionin, të fokusuar në rezultate konkrete për të drejtat e njerëzve”.
Vuçiq ka folur edhe për iniciativën “Ballkani i Hapur”.
“Serbia ka lansuar iniciativën Ballkani i Hapur me miqtë tanë në Ballkan, ku jam i bindur se me promovimin e lëvizjes së lirë, krijon kushte për përforcimin e të gjitha vlerave demokratike. Parimi ynë është se askush nuk duhet të lihet jashtë në ushtrimin e të drejtave dhe lirive themelore. Prandaj, Samiti për Demokraci është një mundësi reale për të vënë në dukje nevojën për trajtim të barabartë të të gjithë njerëzve dhe grupeve fetare në rajon me qëllim forcimin e mëtejshëm të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës, që është një parakusht për krijimin e një Ballkani Perëndimor edhe më të suksesshëm, të orientuar drejt së ardhmes”, ka thënë ai.
Serbia, ka thënë Vuçiq, është e përgatitur dhe e përkushtuar që të jetë partner i SHBA-së tani dhe në të ardhmen, teksa paraqiti një iniciativë për të drejtat e romëve si pakicë në rajon.
"Shfrytëzoj këtë mundësi për të shpallur një iniciativë të re, e cila besoj se mbështetet nga liderë të tjerë në Ballkanin Perëndimor. Së bashku ne duhet të përshpejtojmë përfshirjen e romëve. Ne duhet të investojmë në romët që janë demografikisht aktivë, të pasur me sipërmarrje dhe komunitet shumëgjuhësh, dhe që ishin më të përjashtuarit nga ecuria e progresit dhe më të prekurit gjatë COVID- 19”, tha ai.