Gazetari ukrainas, Bogdan Bitik, është vrarë të mërkurën nga trupat ruse, ndërsa kolegu i tij italian, Corrado Zunino u plagos në qytetin ukrainas Kherson nga trupat ruse, raportoi mediumi italian Repubblica, transmetoi TheGuardian.
Sipas mediumit, Bitik, që po asistonte kolegun nuk iu mbijetoi plagëve, ndërsa Zunino gjendet në spital duke marrë trajtimin mjekësor. Reporterët kishin veshur jelekë antiplumb dhe në xhaketë identifikoheshin si gazetarë.
“U sulmuam. E pashë Bogdanin përtokë, nuk po lëvizte. U zvarrita derisa dola nga vija e zjarrit. Vrapova deri kur hasa në një veturë civile. Isha i mbuluar me gjak, e dërgova atë në spitalin e Khersonit”, deklaroi Zunino nëpërmjet telefonit për median italiane.
Repubblica tha se gazetarëve iu ishte organizuar pritë nga forcat ruse. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se po punohet me ambasadën e Italisë në Kiev për kthimin e gazetarit.