Kandidatja për kryetare bashkie në qytetin Texistepec të Meksikës, Yesenia Lara Gutierrez, u vra të dielën mbrëma gjatë një tubimi ceremonial parazgjedhor. Sulmi, që ndodhi në sy të publikut, mori jetën edhe të tre personave të tjerë, ndërsa disa të tjerë mbetën të plagosur.
Momenti tragjik u kap në një transmetim të drejtpërdrejtë në Facebook, ku Gutierrez shihej duke përshëndetur mbështetësit, para se të dëgjoheshin rreth 20 të shtëna me armë zjarri. Videoja, që tregonte çastet e para të kaosit dhe panikut, ishte ende e disponueshme në faqen e saj të Facebook të nesërmen.
VIDEO:
Fue por la espalda el cobarde ataque que cobró la vida de Yesenia Lara Gutiérrez, candidata de Morena a la alcaldía #Texistepec, #Veracruz. Video del aberrante momento circula en redes sociales. pic.twitter.com/B9tdzGcDav
— Golpe Político (@Golpe_politico) May 12, 2025
Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum konfirmoi sulmin në një konferencë për shtyp të hënën, duke deklaruar se motivet ende nuk janë të qarta. Ajo ka thënë se qeveria federale është në koordinim me autoritetet në shtetin e Veracruzit dhe ka ofruar mbështetje të menjëhershme për hetimet.
“Jemi duke bashkëpunuar me autoritetet lokale, sidomos me sekretarin e Sigurisë, dhe jemi të gatshëm të ofrojmë të gjithë mbështetjen gjatë kësaj periudhe zgjedhore”, deklaroi Sheinbaum, duke përmendur edhe zgjedhjet e ardhshme të 1 qershorit në Veracruz dhe Durango.
Yesenia Lara Gutierrez ishte anëtare e partisë në pushtet Morena dhe një nga katër viktimat në këtë sulm të përgjakshëm. Tre persona të tjerë u plagosën dhe janë nën kujdes mjekësor, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Dhuna ndaj kandidatëve politikë në Meksikë është kthyer në fenomen të përsëritur, sidomos gjatë periudhave zgjedhore. Vetëm vitin e kaluar, vendi regjistroi numër rekord të akteve të dhunës me motive politike. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut Data Cívica, gjatë vitit 2023 u raportuan 661 sulme ndaj individëve dhe strukturave politike, shumica e të cilëve kishin lidhje me kandidatura lokale.
Në muajt e fundit janë shënuar disa vrasje të tjera tronditëse, përfshirë kandidatin për kryetar bashkie në shtetin Guerrero në maj 2024, si dhe kryetaren e bashkisë Cotija në Michoacan. Në tetor të vitit të kaluar, kryetarja e bashkisë së Chilpancingo u vra më pak se një javë pasi mori detyrën.
Autoritetet meksikane kanë premtuar drejtësi dhe masa shtesë sigurie për të mbrojtur kandidatët gjatë periudhës zgjedhore. Por pa rezultat.