Familja e një gazetari të lajmeve të “Al Jazeeras” është vrarë në një sulm ajror izraelit në Gaza. Gruaja e Wael Al-Dahdouhut, fëmijët - djali dhe vajza - u vranë që të gjithë në një kamp refugjatësh në Gazën qendrore të mërkurën, ka raportuar “Al Jazeera”.
Më vonë u raportua se edhe nipi i tij kishte vdekur.
“Al Jazeera” dënoi vrasjet dhe “sulmin pa dallim” të Izraelit.
Sipas mediumit, familja e Al-Dahdouhut jetonte në një shtëpi në kampin Nuseirat në Gazën qendrore pas paralajmërimit të Izraelit për banorët që të largoheshin në drejtim të jugut nga Gaza veriore për shkak të aktiviteteve të vazhdueshme ushtarake.
Mahmoud ishte 15-vjeçar, teksa e bija Sham ishte shtatëvjeçare dhe nipi Adam ishte 18-muajsh.
Edhe
Vriten pesë gazetarë të Al Jazeera's në sulmin izraelit në Gazë
Anëtarët e tjerë të familjes thuhet se kanë ngecur nën rrënoja, por disa dihet se kanë mbijetuar.
Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) kanë konfirmuar se kanë kryer një sulm që synonte objektivat e Hamasit në zonën ku u vranë anëtarët e familjes së Al-Dahdouhut.
I pyetur nga BBC-ja në lidhje me humbjen e jetës së civilëve në sulmet ajrore izraelite në Gazë, duke përfshirë atë të gazetarëve dhe familjeve të tyre, zëdhënësi i IDF-së, nënkoloneli Peter Lerner ka theksuar se “çdo humbje jete është tragjedi”.
Pamjet e postuara në internet treguan Al-Dahdouhun në lot teksa ishte në spital, duke mbajtur trupin e vajzës shtatëvjeçare, i gjunjëzuar mbi trupin e djalit të tij adoleshent.
“Nuk ka fare vend të sigurt në Gaza”, është shprehur ai gjatë intervistës me “Al Jazeeran”.
Al-Dahdouhu është shefi i zyrës së “Al Jazeera Arabic” në Gaza dhe ka punuar për mediumin për disa vite.
“Al Jazeera” ndërkohë bëri të ditur se është “thellësisht e shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e kolegëve në Gazë dhe i mbante autoritetet izraelite përgjegjëse për sigurinë e tyre”.
“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë dhe t’u japë fund këtyre sulmeve ndaj civilëve, duke mbrojtur kështu jetët e pafajshme”, thuhet nga ekipi i saj.
Edhe
Vritet një familje 6-anëtarëshe në Gazë nga sulmet izraelite
Të paktën 24 gazetarë janë vrarë deri më tani në konfliktin e fundit midis Izraelit dhe Gazës, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve./BBC