Pesë ushtarë izraelitë janë vrarë në Gaza, ka bërë të ditur ushtria, në një nga incidentet më vdekjeprurëse të këtij lloji që nga fillimi i luftës në tetor.
Mediat izraelite raportojnë se trupat u vranë kur u goditën gabimisht nga tanket izraelite të mërkurën.
Ngjarja ka ndodhur në Jabalia në veri të Gazës, ku forcat izraelite po luftojnë me luftëtarët e Hamasit, raporton BBC.
Trupat u kthyen në qytet këtë javë pasi u tërhoqën më parë, duke thënë se Hamasi ishte rigrupuar atje.
Dhjetëra mijëra civilë janë larguar nga Jabalia që nga e shtuna, kur Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) nisën një operacion me sulme ajrore. Trupat rihynë në Jabalia të hënën.
Luftimet atje dhe në qytetin jugor të Rafahut, ku rreth gjysma e popullsisë civile prej 2.3 milionë banorësh të Gazës ishte strehuar, janë intensifikuar ditët e fundit.
Rreth 600,000 palestinezë janë larguar që atëherë nga Rafah dhe 100,000 të tjerë janë zhvendosur rishtazi nga rilindja e luftimeve në veri, thotë OKB-ja.