Botë

Vriten nga sulmet izraelite 8 fëmijë që prisnin në radhë për ushqim në Gazë

Gaza

Foto: Associated Press

Të paktën 15 palestinezë, përfshirë tetë fëmijë dhe dy gra, janë vrarë në një sulm izraelit pranë një pike mjekësore në Gazën qendrore, thotë një spital atje.

Spitali i Martirëve Al-Aksa ka thënë se sulmi ka goditur njerëzit që prisnin në radhë për suplemente ushqimore në qytetin Deir al-Balah. Pamjet grafike nga spitali tregonin trupat e disa fëmijëve dhe të tjerëve duke u trajtuar për plagët e tyre.

Ushtria izraelite ka thënë se po verifikonte raportet.

26 persona të tjerë janë raportuar të vrarë në sulme në vende të tjera në Gazë të enjten, ndërsa delegacionet izraelite dhe të Hamasit po vazhdojnë negociatat për një armëpushim të ri dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve në bisedimet indirekte në Doha.

Pavarësisht optimizmit të shprehur nga SHBA-ja, e cila po vepron si ndërmjetësuese së bashku me Katarin dhe Egjiptin, ato deri më tani nuk duket se janë afruar aq shumë.

Të mërkurën në mbrëmje, një zyrtar i lartë izraelit u ka thënë gazetarëve në Uashington se mund të duhen një ose dy javë për të arritur një marrëveshje.

Zyrtari, i cili po fliste gjatë një vizite në SHBA të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë gjithashtu se nëse arrihej një marrëveshje për një armëpushim 60-ditor, Izraeli do ta përdorë atë kohë për të ofruar një fund të përhershëm të luftës i cili do të kërkonte që Hamasi të çarmatosej. Nëse

Hamasi refuzonte të çarmatoset, Izraeli do të "vazhdojë" me operacionet ushtarake, sipas tij.

Më parë, Hamasi ka lëshuar një deklaratë ku thuhej se bisedimet kanë qenë të vështira, duke fajësuar “kokëfortësinë" izraelite.

Grupi ka thënë se ka treguar fleksibilitet duke rënë dakord për lirimin e 10 pengjeve, por përsëriti se po kërkonte një marrëveshje "gjithëpërfshirëse" që do t'i jepte fund ofensivës izraelite.