Një i akuzuar tjetër për atentatin e muajit gusht ndaj kandidatit për president të Ekuadorit, Fernando Villavicencio, është vrarë brenda një burgu në kryeqytetin e këtij vendi, kanë bërë të ditur autoritetet, raporton agjencia AP.
Vrasja e tij vjen vetëm një ditë, pasi gjashtë të tjerë që dyshoheshin se kishin lidhje me vrasjen e Villavicencios, u gjetën të vrarë në një burg tjetër.
Vrasja e shtatë të dyshuarve ndodhi përpara se Ekuadori të mbajë balotazhin e zgjedhjeve presidenciale. Zyrtarët po përpiqen që të shpjegojnë se si ndodhi vrasja e të dyshuarve.
Gjashtë burra kolumbianë të akuzuar për atentatin e 9 gushtit ndaj Fernando Villavicencio u vranë të premten brenda një burgu në Guayaquil. Vrasjet erdhën pasi Prokuroria pritet të shpallë së shpejti përfundimin e fazës së hetimit për vrasjen e Villavicencios, i cili u qëllua me armë teksa po dilte nga një tubim politik. Të shtunën u vra një i dyshuar tjetër në burg.
Villavicencio 59-vjeçar nuk ishte konsideruar ndër kandidatët kryesorë për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 20 gusht, por vrasja e tij në mes të ditës ishte tronditje për Ekuadorin. Ai kishte raportuar se ishte kërcënuar nga bashkëpunëtorët e kartelit të drogës Sinaloa të Meksikës, një nga grupet ndërkombëtare të krimit të organizuar që vepron në Ekuador.
Edhe
Vrasja e kandidatit presidencial të Ekuadorit u planifikua nga burgu
Qeveria e Ekuadorit ka vendosur ta shkarkojë drejtorin e sistemit të burgjeve si dhe përgjegjësin e policisë që po merret me hetimet, pas vrasjeve të të dyshuarve.
Balotazhi për zgjedhjet presidenciale në Ekuador do të mbahet më 15 tetor. Në balotazh do të përballen Luisa González e së majtës dhe ish-ligjvënësi Daniel Noboa, i cili është djali i një manjati bananesh.