Botë

Vreshtarët ia shohin hairin thatësisë ekstreme

Këtë vit diçka është krejtësisht e ndryshme në një nga rajonet më të famshme të verërave të Francës dhe pjesë të tjera të Evropës. Por viti 2022 mund të jetë më i mirë se kurrë, tha Perrin, sepse rrushi është i shëndetshëm dhe i balancuar mirë. Moti i nxehtë dhe i thatë parandaloi gjithashtu hardhitë nga sëmundje të tilla si myku

Peizazhi në vreshtat prestigjioze të Bordeaux duket njësoj si gjithmonë, me kalavesha rrushi të shëndetshëm dhe të pjekur që varen vreshtave të gjelbra.

Por këtë vit diçka është krejtësisht e ndryshme në një nga rajonet më të famshme të verërave të Francës dhe pjesë të tjera të Evropës. Vjelja që dikur filloi në mes të shtatorit, tani po bëhet më herët se kurrë, në mes të gushtit, si rezultat i thatësisë së madhe dhe përshtatjes së industrisë së verës ndaj efekteve të paparashikueshme të ndryshimeve klimatike.

Në mënyrë paradoksale, sezoni i valëve të të nxehtit dhe zjarreve të egra prodhoi rrush të shkëlqyer, pavarësisht rendimenteve më të ulëta. Por arritja e një korrjeje të tillë kërkonte ndryshime krijuese në teknikat e rritjes, duke përfshirë krasitjen e hardhive në një mënyrë tjetër dhe ndonjëherë ujitjen e tyre në vendet ku ujitja zakonisht është e ndaluar. Dhe prodhuesit në të gjithë Evropën që kanë parë nga dora e parë efektet e ngrohjes globale janë të shqetësuar për atë që do të vijë më pas.

Më i mirë se kurrë

Vreshtarët rregulluan praktikat e tyre mes një sërë valësh të të nxehtit, të kombinuara me mungesën e shiut, që goditi pjesën më të madhe të Evropës. Në rajonin e Bordeaux, në Francën jugperëndimore, zjarret gjigante shkatërruan zona të mëdha pyjesh me pisha. Nuk ra shi nga fundi i qershorit deri në mes të gushtit.

Eric Perrin, nga pronarët e pasurisë Château Carbonnieux, kujton se gjatë fëmijërisë së tij, në vitet 1970, të korrat filluan rreth mesit të shtatorit. Këtë vit ato filluan më 16 gusht.

Por viti 2022 mund të jetë më i mirë se kurrë, tha Perrin, sepse rrushi është i shëndetshëm dhe i balancuar mirë. Moti i nxehtë dhe i thatë parandaloi gjithashtu hardhitë nga sëmundje të tilla si myku.

Prodhimi i verës është një traditë shekullore në Château Carbonnieux, ku Thomas Jefferson vizitoi vreshtat në vitin 1787, përpara se të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, dhe mbolli një pemë arre që ende qëndron në një park.

Në ditët e sotme, vera Château Carbonnieux ofrohet ndonjëherë nga presidenti Emmanuel Macron, për mikpritësit e nderuar.

Thatësia ndryshoi mënyrën se si punojnë prodhuesit e verës.

Më parë vreshtarët u jepnin hardhive një formë që lejonte rrushin të merrte sasinë maksimale të diellit, kështu që ata prodhonin më shumë sheqer, i cili shndërrohej në alkool. Këtë vit, kultivuesit prireshin që gjethet të mbronin rrushin në mënyrë që hijet të ruanin aciditetin dhe freskinë e frutave.

Image

Frika nga ndryshime radikale të motit

Rendimentet mund të jenë 15% deri në 20% më të ulëta në rajonin më të gjerë, kryesisht për shkak të rrushit më të vogël dhe faktit që disa u dogjën nga dielli në zona të veçanta, por kjo nuk do të ndikojë në cilësinë e verës.

Një hap tjetër që mund të ndërmarrin vreshtarët është të zvogëlojnë dendësinë e parcelave të tyre për të kërkuar më pak ujë ose të punojnë tokën për të ruajtur më mirë lagështinë thellë.

Ekspertët po shqyrtojnë gjithashtu nëse mbjellja e varieteteve të reja të rrushit mund të jetë e dobishme.

Më në jug në Evropë, vjelja filloi gjithashtu disa javë më herët se normalja për të shpëtuar rrushin e rrudhur dhe të djegur. Prodhimi pritet të jetë 10% deri në 20% më i ulët në disa rajone të Italisë, Spanjës dhe Portugalisë, megjithëse prodhuesit shpresojnë për rritjen e cilësisë.

Shkencëtarët kanë besuar prej kohësh se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit e bëjnë motin ekstrem më të shpeshtë. Ata thonë se ajri më i nxehtë, oqeanet më të ngrohta dhe shkrirja e akullit të detit ndryshojnë rrjedhën e avionëve, gjë që i bën stuhitë, përmbytjet, valët e të nxehtit, thatësirat dhe zjarret më shkatërruese.

Ndërsa dimrat më të ngrohtë bëjnë që hardhitë e rrushit të prodhojnë sytha të hershëm, vreshtarët francezë shqetësohen se ngrica do të prishë më shpesh sezonin e rritjes. Stuhitë e forta nga breshri mund të shkatërrojnë një vit punë në pak minuta.

Përktheu: Forca Jashari