Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

1.25 milionë dollarë, kaucioni për lirim të policit që vrau George Floydin

Foto: Reuters

Një gjykatës amerikan ka vendosur kaucion prej 1.25 milionë dollarësh për lirim me kusht të oficerit policor, Derek Chauvin, i cili doli në gjyq për herë të parë të hënën me akuzën e vrasjes së afro-amerikanit, George Floyd.

Pas seancës së shkurtër dëgjimore përmes video-lidhjes nga paraburgimi ku ndodhet tash ish-oficeri i policisë, gjykatësja Jeannice Reding nga qarku Hennepin County Minneapolis, ka planifikuar për 29 qershor seancën tjetër për të adresuar bazën e çështjes.

Derek Chauvin (44), akuzohet se ka vrarë George Floyd (46), dy javë më parë pasi e shtypi me gju në qafë për gati 9 minuta, transmeton kp-ja.

Drama, e cila u regjistrua me një telefon celular nga një kalimtar dhe pamjet u përhapën shpejt në internet, nxiti një valë protestash në Shtetet e Bashkuara dhe u përhap në të gjithë botën.

Gjykatësja së pari caktoi kaucion prej 1 milion dollarësh dhe më pas e ngriti edhe për 250.000 dollarë.

Chauvin akuzohet për vrasje të shkallës së dytë. Tre nga kolegët e tij në Minneapolis të akuzuar për ndihmë në vrasjen e Floydit u nxorrën javën e kaluar për herë të parë në gjykatë.