Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vrasja e fëmijëve palestinezë nga Izraeli

Dymbëdhjetë fëmijë janë vrarë sivjet në Bregun Perëndimor, të pushtuar nga Izraeli. 67 të tjerë u vranë vetëm në maj gjatë sulmeve ajrore të Ushtrisë izraelite mbi Gazën. “Ne e çuam në spital, por ai vdiq më pak se një orë pasi e qëlluan. Mjekët nuk ia dolën ta shpëtonin”, tha Bara'a Tamimi, nga fshati Nabi Saleh, pranë Ramallahut, derisa po përpiqej ta ngushëllonte djalin tjetër, 3-vjeçarin Omar Tamimi, i cili po e pyeste të ëmën se ku ndodhej vëllai më i madh

"Nënë, nënë, ku është Muhamedi?", e pyeti disa herë të ëmën, i shqetësuar Omar Tamimi, 3 vjeç.

Duke u përpjekur që të reflektonte qetësi para fëmijëve të saj, Bara'a Tamimi, nga fshati Nabi Saleh, pranë Ramallahut, u përpoq ta ngushëllojë djalin e saj para se të thyhej dhe të shkrehej në vaj.

Muajin e kaluar djali tjetër, Muhamed Tamimi, 17 vjeç, vdiq pasi ushtarët izraelitë e qëlluan në shpinë tri herë.

"Ne e çuam në spital, por ai vdiq më pak se një orë pasi u qëllua. Mjekët nuk ia dolën ta shpëtonin”, tha Bara'a për Al-Jazeeran.

Nuk pati përleshje më 23 korrik në fshat, por ushtarët izraelitë po vinin në fshat pothuajse çdo ditë dhe po provokonin vendasit, duke gjuajtur bomba me gaz lotsjellës në shtëpi dhe duke sharë fshatarët.

Edhe I qëlluar nga ushtarët izraelitë, 14-vjeçari vdiq pa ndihmë mjekësore Botë I qëlluar nga ushtarët izraelitë, 14-vjeçari vdiq pa ndihmë mjekësore

Nabi Saleh është vendbanim i rreth 600 banorëve, kryesisht nga fisi tamimi, dhe ka një histori aktivizmi, e cila përfshinte protesta të rregullta të së premtes.

"Muhamedi ishte në oborrin e shtëpisë kur ushtarët gjuajtën gaz lotsjellës në shtëpinë tonë, duke më detyruar t'i fusja fëmijët e tjerë të vegjël në dhomat e brendshme të shtëpisë për sigurinë e tyre", tha Bara'a, ndërsa kujtonte ngjarjet që çuan në vrasjen e Muhamedit.

Image

“Vrasje me dashje”

"Një konfrontim verbal filloi më pas midis Muhamedit dhe ushtarëve para se ai të dilte më vonë për të kërkuar një nga vëllezërit e tij që ka kancer në njërin sy dhe nuk sheh mirë. Pak më vonë dëgjova tri të shtëna me armë”, shtoi ajo.

Më 28 korrik, Muhammad Abu Sara, 11 vjeç, vdiq nga një plagë me armë në gjoks, pasi ushtarët izraelitë qëlluan 13 plumba në makinën e babait të tij në fshatin palestinez të Beit Ummar në jug të Bregut Perëndimor.

Përsëri, atë ditë nuk pati përplasje në fshat, shkruan “Al-Jazeera”.

Ushtarët izraelitë thanë se automjeti nuk u ndal kur u urdhërua. Por, organizata DCIP tha se sipas të Drejtës Ndërkombëtare, forca vdekjeprurëse e qëllimshme justifikohej vetëm në rrethanat kur ka kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën ose një dëmtim serioz.

"Megjithatë, hetimet dhe provat e mbledhura nga DCIP-ja sugjerojnë rregullisht se forcat izraelite përdorin forcë vdekjeprurëse kundër fëmijëve palestinezë në rrethana që mund të arrijnë në vrasje jashtëgjyqësore ose me dashje”, vlerëson DCIP-ja.

Të martën, një palestinez 15-vjeçar u vra nga zjarri i drejtpërdrejtë izraelit në Bregun e pushtuar Perëndimor. Ministria palestineze e Shëndetësisë tha për Al-Jazeeran se Imad Khaled Saleh Hashash vdiq pasi kishte marrë një plagë me armë zjarri në kokë.

Vdekjet e tre djemve përfshiheshin në mesin e 12 fëmijëve të vrarë në Bregun Perëndimor këtë vit, njofton Zyra e Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), mekanizëm i OKB-së.

Image

67 fëmijë të tjerë u vranë vjet

67 fëmijë të tjerë u vranë në Gaza gjatë sulmit të Izraelit në maj.

Sipas DCIP-së, shtatë fëmijë u vranë në Gaza dhe Bregun Perëndimor në vitin 2020.

Kjo rritje në numrin e vdekjeve të fëmijëve dhe një bastisje në zyrat e DCIP-së në Al-Bireh nga forcat izraelite të sigurisë në fund të korrikut, bëri që ekspertët e të drejtave të njeriut nga Zyra e Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) t’i bëjë thirrje Qeverisë izraelite që "të kthejë menjëherë dokumentet konfidenciale dhe pajisjet e zyrës që ushtria e saj konfiskoi nga zyrat e DCIP-së".

"Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga ndërhyrja e ushtrisë izraelite në punën e të drejtave të njeriut të një OJQ-je të mirënjohur", thanë ekspertët.

Kompjuterët, hard-disqet, lidhëset dhe materiale të tjera u morën nga zyrat e DCIP-së gjatë bastisjes së natës.

"Puna e domosdoshme e organizatave të shoqërisë civile palestineze, izraelite dhe ndërkombëtare ka siguruar një masë të llogaridhënies shumë të nevojshme në dokumentimin dhe shqyrtimin e tendencave shqetësuese të të drejtave të njeriut në territorin e okupuar palestinez”, tha OHCHR-ja për Al-Jazeeran.

DCIP-ja siguroi raportime kritike dhe të besueshme mbi modelet e arrestimeve, gjymtimeve dhe vrasjeve të fëmijëve palestinezë nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Jerusalemin Lindor dhe Gazën, shtoi organizata.

“Të gjitha jetët civile nën okupim mbrohen sipas së Drejtës Ndërkombëtare. Kjo është veçanërisht e vërtetë për të drejtat e fëmijëve”, thanë ekspertët e OHCHR-së.

“Sulmi përmes përfaqësuesit”

Edhe Vriten nga sulmet izraelite 8 fëmijë që prisnin në radhë për ushqim në Gazë Botë Vriten nga sulmet izraelite 8 fëmijë që prisnin në radhë për ushqim në Gazë

DCIP-ja është duke pritur një seancë gjyqësore ushtarake për të përcaktuar nëse dosjet dhe pajisjet e konfiskuara nga zyra e tyre, do të kthehen.

"Në të njëjtën ditë ushtria sulmoi zyrën tonë. Avokatët tanë njoftuan Gjykatën Ushtarake Ofer për çështjen dhe ata kontaktuan këshilltarin ligjor ushtarak duke kërkuar që dosjet dhe pajisjet të ktheheshin deri më 16 gusht", tha zëdhënësi i DCIP-së, Ayed Abu Eqtaish, për Al-Jazeeran.

“Këshilltari ligjor dy herë refuzoi t’i kthejë sendet, duke thënë se po kryhej një hetim, kështu që ne po e çojmë çështjen në gjykatë. Kjo nuk është hera e parë që jemi vënë në shënjestër nga autoritetet izraelite”, ka thënë ai për mediumin nga Katari.

"Më parë ata do të shënjestronin përmes përfaqësuesve, organizatave pro-izraelite që përpiqen të na minojnë reputacionin tonë me partnerët dhe donatorët tanë, por kjo nuk funksionoi kurrë", tha Abu Eqtaish për Al-Jazeeran.

Manal Tamimi, një aktiviste nga një familje tjetër e fisit tamimi të Nabi Salehut, tha se fëmijët në fshat vazhdimisht ishin në shënjestër dhe disa po shënjestroheshin për shkak se prindërit e tyre janë aktivë politikisht.

Paralajmërimi i kobshëm

Burri i Manalit Bilalit është sulmuar rregullisht nga ushtarët izraelitë për dokumentimin e abuzimeve të tyre gjatë përplasjeve të mëparshme me të rinjtë palestinezë në fshat.

Disa vjet më parë, Manali u qëllua në këmbë në fillim të një demonstrate.

"Më paralajmëruan në faqen time në Facebook para protestës se gjaku im do të derdhej atë ditë dhe në fillim të protestës u qëllova në këmbë me një plumb, i cili më theu kockën", tha ajo për Al-Jazeeran.

Djali i saj, Osama, ishte burgosur më parë për nëntë muaj për dyshimin se mori pjesë në protesta.

Sidoqoftë, ishte arrestimi dhe ndalimi i djalit të saj, Samer, disa vjet më parë, kur ai ishte 11 vjeç, që e stresoi vërtet familjen.

"Samer dhe dy djem të tjerë të së njëjtës moshë u arrestuan nga Nabi Salehu”, tha Manal.

“Ushtarët kishin ardhur në fshat, pavarësisht se gjithçka ishte e qetë dhe ata rrëmbyen dy nga djemtë kur ishin pranë supermarketit dhe i futën në një xhip ushtarak. Unë dhe disa gra të tjera u përpoqëm të ndalonim fizikisht xhipin, por nuk mundëm”, tregoi Manali. "Ne pastaj shkuam në pikën e kontrollit ushtarak në hyrje të fshatit dhe u bërtitëm ushtarëve për të na thënë se ku ishin djemtë, por nuk na treguan. Burri im dhe unë ishim jashtëzakonisht të shqetësuar pasi nuk e dinim se ku ishte apo nëse ishte plagosur”.

Mbulimi i syve dhe prangosja

Samer kujtoi përvojën e tij të frikshme.

"M'i mbyllën sytë dhe më lidhën me pranga dhe më çuan në një bazë ushtarake ku të gjithë u detyruam të uleshim në dysheme për gjashtë orë, dhe njëherësh na morën në pyetje", tha Samer për Al-Jazeeran.

Gjatë kësaj kohe, asnjërit prej djemve nuk iu dha ushqim ose ujë, dhe as nuk iu hoqën mbulesat ose prangat.

Samerit iu tregua gjithashtu një video e ushtarëve për nënën që protestonte në pikën e kontrollit për ta frikësuar atë. Djemtë u liruan më në fund atë natë pas ndërhyrjes së zyrtarëve palestinezë.

"Por, tani djali im ka një dosje dhe ai nuk lejohet të kalojë nëpër pikat e kontrollit izraelit edhe pse është vetëm 15 vjeç", tha Manali për Al-Jazeeran.

Edhe Të paktën 17 palestinezë të vrarë afër pikës së ndihmave në Gazë Botë Të paktën 17 palestinezë të vrarë afër pikës së ndihmave në Gazë

Manali tha se rreth 85 fëmijë nga fshati ishin arrestuar gjatë viteve. 10 prej tyre ishin nën 15 vjeç. "Më shumë se 500 fshatarë ishin plagosur gjithashtu dhe pesë persona u vranë”.

Ajo tha se ushtarët në fshat ua vështirësuan jetën fëmijëve duke ngritur postblloqe të rregullta dhe duke i ndaluar fëmijët të shkojnë në shkollë, përveç rrahjeve dhe arrestimeve.