Në demokracitë moderne liberale, vrasja politike është e padëgjuar, ani pse ka shembuj të dhunës politike, siç janë trazirat e 6 janarit të vitit 2020 në Capitol të Washingtonit. Motivi i vrasësit të Abes, i cili u arrestua menjëherë nga forcat e sigurisë, mbetet i paqartë, ani pse policia dhe mediat kanë paralajmëruar se nuk kishte motive politike
(AP) – Sulm mbi demokracinë dhe lirinë e fjalës. Kthim në Japoninë e paraluftës me plot vrasje politike. Terrorizëm.
Zemërimi publik, kritikat dhe pakënaqësitë nga politikanët dhe rrjetet sociale janë përhapur fort pas vrasjes në pikë të ditës të ish-kryeministrit Shinzo Abe, forcë e madhe politike në Japoni edhe pas dorëheqjes së vitit 2020 si lideri politik më jetëgjatë i vendit.
“Plumbi shpoi themelet e demokracisë”, shkroi në ballinën e saj gazeta liberale “Asahi”, përkrahëse e rregullt e konservatorit, shpesh revizionistit të historisë, Abes. “Jemi shumë të mllefosur”.
Pjesë e zemërimit publik është, sepse krimi është shumë i rrallë në Japoni. Nuk është e pazakontë të shohësh telefonat apo çantat nëpër tavolinat e kafeneve. Sulmet me armë janë jashtëzakonisht të rralla, sidomos viteve të fundit dhe në mjediset politike, ani se ato kanë ndodhur.
Mirëpo tronditja mund të gjurmohet edhe në mjedis: Abe u vra afër stacionit të stërngarkuar me njerëz, në pikun e fjalimit të fushatës për zgjedhjet parlamentare, diçka që Japonia, ani pse me histori të gjatë të dominimit njëpartiak dhe apatisë në rritje të votuesve, e merr seriozisht.
Edhe
Burgim i përjetshëm për vrasësin e ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe
Mikito Chinen, autor dhe doktor, ka shkruar në Twitter se kishte votuar të dielën, sepse “ishte e rëndësishme të demonstronim se demokracia nuk mund të mposhtet nga dhuna”.
Ky sulm është unik, shënon vrasjen e parë të një ish-udhëheqësi ose në detyrë në Japoninë e pasluftës, thotë Mitsuru Fukuda, profesor i menaxhimit të krizave në Nihon University. Ai shton se pasojat e vrasjes mund të jenë shumë të rënda.
“Shoqëria mund të jetë bërë shoqëri në të cilën politikanët dhe personalitetet janë shënjestër në çdo kohë, dhe kjo i bën njerëzit të shqetësohen për sulmet që mund t’u ndodhin veç pse shprehin lirshëm qëndrimet e veta”, thotë Fukuda.
Shumë japonezë kanë ndërmend trazirat politike dhe sociale të Japonisë së paraluftës, kur autoritetet kërkonin bindje të padiskutueshme teksa ushtria perandorake marshonte nëpër Azi; ishte antiteza e demokracisë, kohë kur atentatet, frikësimi i disidentëve nga qeveria dhe shtypja e fjalës dhe e tubimeve të lira ishin gjëra shumë të zakonshme.
Në demokracitë moderne liberale, vrasja politike është e padëgjuar, ani pse ka shembuj të dhunës politike, siç janë trazirat e 6 janarit të vitit 2020 në Capitol të Washingtonit.
Motivi i vrasësit të Abes, i cili u arrestua menjëherë nga forcat e sigurisë, mbetet i paqartë, ani pse policia dhe mediat kanë paralajmëruar se nuk kishte motive politike.
Mirëpo kryerja e atentatit vetëm pak ditë para zgjedhjeve kombëtare në një prej vendeve më të qëndrueshme të botës – dhe të shtetit që së bashku me SHBA-në veprojnë si mburojë politike dhe sigurie kundër shteteve jodemokratike si Kina dhe Koreja e Veriut – ka ngritur frikën se diçka shumë thelbësore ka ndryshuar.
“Japonia është demokraci, prandaj vrasja e një ish-kryeministri është sulm ndaj të gjithë neve”, ka shkruar “The Japan Times” në një editorial. “Ky ishte akt i terrorizmit”.
Udhëheqësit politikë kanë vazhduar me fushatat zgjedhore pas vrasjes së Abes. Partia në pushtet me liberalët demokratikë, të cilëve dikur u priu Abe, ka arritur fitore edhe më të lartë sesa pritej të dielën.
“Në mesin e zgjedhjeve tona, të cilat janë themeli i demokracisë, nuk do të lejojmë kurrë që dhuna të ndalë lirinë e fjalës”, ka thënë kryeministri Fumio Kishida pak para zgjedhjeve dhe mes sigurisë së shtuar në Japoni.
Pavarësisht standardeve të larta të jetës dhe sigurisë së madhe të Japonisë, ka pasur disa akte të dhunës ekstreme, përfshirë sulmet e kryera nga ata që shprehin ndjenjën e dështimit në jetë dhe izolimit.
Edhe
Jep dorëheqje kryeministri i Japonisë, Shigeru Ishiba
Sulmi i fundit ndodhi në muajin tetor, kur një burrë i maskuar si personazhi i filmave “Joker” theri një të moshuar, ndërkaq derdhi vaj para se t’ia vinte flakën metrosë në Tokio dhe të përpiqej të sulmonte me thikë edhe njerëz të tjerë.
Në sferën e politikës, ndoshta një prej atentateve më të papritura u krye në vitin 1960, kur një i djathtë sulmoi me shpatë liderin socialist Inejiro Asanuma para një turme të madhe njerëzish.
Sulmet me armë, megjithatë, janë histori krejt tjetër.
Japonia ka ligjet më të rrepta të kontrollit të armëve në botë, bazuar në urdhrat e publikuar në vitin 1946 nga forcat pushtuese të SHBA-së. Sipas dokumentit të fundit vjetor të krimit, policia ka arrestuar 21 persona për armë zjarri në vitin 2020; 12 prej tyre ishin pjesë e bandave.
Në vitin 1994, një person i armatosur përdori armën, por nuk mundi ta qëllonte kryeministrin Morihiro Hosoawa gjatë një fjalimi. Kryetari i Nagasakit, Iccho Ito, u vra në vitin 2007.
Stephen Nagy, profesor i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në International Christian University të Tokios, ka thënë se shumë nga njerëzit me të cilët ka biseduar e konsiderojnë vrasjen e Abes si sulm nga “ujku i vetmuar”, dhe jo sulm ndaj demokracisë.
“Shqetësimi kryesor ishte vakumi në lidershim që do të shfaqet pasi fraksioni më i madh politik sapo ka humbur liderin dhe kjo do të ketë implikime në trajektoren e politikës së brendshme të Japonisë”, ka thënë Nagy.
Krahasuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën, siguria për liderët politikë në Japoni ka qenë më pak e ashpër, përveç në rastet e veçanta të profilit të lartë në ceremonitë ndërkombëtare.
Kjo ndodhte për shkak të perceptimit se ka mungesë të kërcënimeve.
Mirëpo natyra e sulmit shumë publik ndaj Abes mund të detyrojë rishikim të shpejtë në mënyrën se si Japonia i ruan zyrtarët dhe mund të forcojë sigurinë në fushata zgjedhore dhe në ceremoni me turma të mëdha.
Edhe Fillimi i fundit të pushtetit në Shqipëri...Japonia ishte mjaftueshëm e sigurt për politikanët që t’u afroheshin njerëzve të zakonshëm, të bënin muhabet me ta dhe t’ia zgjasnin dorën njëri-tjetrit, ka thënë Fukuda. “Ishte ambient i lumtur, por ndoshta kemi nisur ta humbim”.
“Në një shoqëri ku rreziku i vrasjes është shumë real, nivelet e sigurisë duhet të ngrihen”, ka thënë ai. “Është zhvillim fatkeq, por në të kundërtën nuk mund ta ruajmë sigurinë tonë”.