Vrasja e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe ka shokuar kombin ku krimet me armë janë tejet të rralla.
Abe u qëllua për vdekje të premten në qytetin Nara, teksa po mbante fjalim në mbështetje të njërit prej kandidatëve që garonte për dhomën e lartë të Japonisë. Edhe pse u dorëhoq në vitin 2020, figura e kryeministrit më jetëgjatë të Japonisë ishte tejet popullore.
Fotografitë e publikuara nga transmetues japonez dhe ato në rrjetet sociale shfaqin armë krejt të pazakontë që u përdor për vrasjen e ish-liderit. Dëshmitarët kanë thënë se sulmuesi kishte armë të madhe e shtiu dy herë në drejtim të Abes nga 3 metra prapa tij. Arma ishte mbuluar me ngjitës të zi dhe përbëhej nga dy barela të krijuara nga alumini dhe me bazë druri. Nuk dukej sikur kishte mekanizëm mbushës apo dorëz tradicionale. Çdo video e publikuar tregon se zhurma e të shtënave ishte ndryshe.
41-vjeçari Tetsuya Yamagami u arrestua. Ai ka pranuar krimin.
Armë të tjera, të ngjashme si ato të sulmit, u gjetën në shtëpinë e tij.
Cilat janë ligjet dhe kontrollet e Japonisë mbi armët?
Është tejet e vështirë të sigurohet armë në Japoni, shkruan BBC.
Armët e zjarrit janë tejet nën kontroll dhe ligjet strikte janë në fuqi qe disa dekada. Ligji i parë i kontrollit të armëve të zjarrit, nga viti 1958, shkruan shkurt se “posedimi i armëve të zjarrit dhe shpatave është i ndaluar”.
Nga grupi i shtatë ekonomive më të pasura të botës, Japonia ka nivelin më të ulët të armëmbajtjes. Vetëm 0.3 është shifra e armëve për 100 banorë, sipas të dhënave të “Small Arms”.
Për dallim nga Japonia, në Britani shifra është 4.9, ndërsa vazhdon duke u rritur në Itali në 14.4, Francë 19.6, Gjermani 19.6, Kanada 34.7 e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 120.5 për 100 banorë.
Ata që duan të aplikojnë për licencë u nënshtrohen kontrolleve të rrepta mentale e atyre të drogës si dhe u bëhet monitorim i thellë i historisë personale kriminale. Pos kësaj, atyre u duhet trajnim i plotë dhe u duhet t’u nënshtrohen testeve të shumta.
Policia duhet të njoftohet ku ruhet arma dhe municioni – dhe ato duhet të ruhen të mbyllura me çelës. Policia i inspekton armët një herë në vit.
Pas tre vjetësh skadon licenca dhe armëmbajtësi me leje duhet të testohet sërish.
Si qëndron Japonia në krahasim me vendet tjera për dhunën me armë?
Ligjet strikte në armëmbajtje kanë reflektuar edhe në të dhënat e dhunës me armë në Japoni.
Nga G7-a, Japonia ka numrin më të ulët të vdekjeve nga armët e zjarrit me 0.03 për 100 mijë banorë.
Nga 0.1 e kanë Gjermania e Britania e Madhe, ndërsa SHBA-ja e mban sërish primatin me 7 vdekje nga armët e zjarrit në 100 mijë banorë.
Gjatë viteve, ligjet e armëmbajtjeve janë shtrënguar në vazhdimësi.
Pavarësisht nivelit të ulët të krimeve nga armët e zjarrit në Japoni, sulme ndaj politikanëve ka pasur edhe në të kaluarën – me ose pa armë zjarri.
Më 1960, gjyshi i Shinzo Abes, që ishte atë kohë kryeministër, ishte therur e plagosur rëndë. Më 2007, kreu i qytetit të Nagasakit u qëllua dhe u vra në një sulm për të cilin u fajësua një bandë kriminale./BBC