Botë

Vrasja e Abes ngre dyshime për sigurinë e Japonisë

Gjatë një debati parlamentar në vitin 2015, atëherë kryeministri Abe u kishte rezistuar thirrjeve të deputetëve opozitarë që të forcohej siguria e tij, duke insistuar se “Japonia ishte vend i sigurt”

Një zyrtar i lartë policor në Japoni të shtunën ka pranuar se lëshimet e mundshme të sigurisë kanë mundësuar që vrasësi të drejtonte armën kah ish-kryeministri japonez, Shinzo Abe, teksa ai po mbante fjalimin e fushatës. Rasti i së premtes ka ngritur dyshime se si qe e mundur që vrasësi të afrohej aq shumë prapa shpinës së tij.

Abe u qëllua për vdekje në perëndim të qytetit të Naras dhe u dërgua me helikopter në spital, por vdiq nga gjakrrjedhja. Policia ka arrestuar të dyshuarin, ish-anëtar i marinës japoneze. Policia ka konfiskuar armën e tij artizanale dhe disa të tjera janë gjetur më vonë në apartamentin e tij.

Vrasësi, Tetsuya Yamagami, u ka thënë hetuesve se kreu sulmin sepse u besonte thashethemeve se Abe ishte i lidhur me një organizatë ndaj të cilës ai kishte shumë inat, ka bërë të ditur policia.

Mediat japoneze kanë raportuar se i dyshuari kishte urrejtje ndaj një grupi fetar, të cilin nëna e tij e pëlqente shumë dhe i shkaktoi probleme financiare familjes së tij. Në këto raportime nuk është përmendur grupi.

Të shtunën, automjeti i zi që bartte trupin e Abes, shoqëruar nga bashkëshortja e tij Akie, arriti në shtëpinë e tij në lagjen Shibuya të Tokios. Shumë njerëz kokulur pritën automjetin me trupin e ish-kryeministrit.

Shefi i policisë në prefekturën e Naras, Tomoaki Onizuka, ka thënë se atentati ndaj Abes ishte “pendimi i tij më i madh” në karrierën 27-vjeçare në polici.

“Nuk mund të mohoj se kishte probleme në sigurinë tonë. Qoftë në vendosje, në reagimin emergjent, apo aftësitë individuale, ne ende nuk e kemi zbuluar këtë. Mbi të gjitha, kishte një problem dhe do ta rishikojmë sulmin nga të gjitha perspektivat”, ka thënë Onizuka.

Vrasja e Abes para zgjedhjeve parlamentare të së dielës ka zënë në shok Japoninë dhe ka ngritur shqetësime nëse siguria për një ish-kryeministër ishte adekuate.

Disa ekspertë që kanë analizuar videot e vrasjes, kanë vërejtur mungesë të vëmendjes në hapësirën e hapur prapa Abes teksa ai fliste.

Ish-hetuesi i prefekturës së Kyotos, Humikazu Higuchi, ka thënë se pamjet tregonin se kishte pak siguri dhe ishte e pamjaftueshme për një ish-kryeministër.

“Është e nevojshme të hetohet se përse pjesëtarët e sigurisë lejuan që Yamagami të lëvizte lirshëm dhe të shkonte prapa Abes”, ka thënë Higuchi.

Ekspertët kanë thënë se Abe ishte më i rrezikuar duke qëndruar në tokë, në vend se të qëndronte në një skenë, gjë që ndodh zakonisht, por kjo nuk ishte e mundur pasi vizita e tij në Nara ishte organizuar shpejt-e-shpejt.

“Duket sikur policia ishte e përqendruar përpara, teksa shumë pak i kushtoi vëmendje se çfarë kishte prapa Abes. Askush nuk e ndali të dyshuarin për t’iu afruar atij”, ka thënë Mitsuru Fukuda, profesor i menaxhimit të krizave në Nihon University. “Qartazi kishte probleme”.

Fukuda ka thënë se fushatat zgjedhore ofrojnë mundësi për votuesit dhe politikanët që të ndërveprojnë, sepse “terrorizmi politik” ishte gjë e rrallë në Japoninë e pasluftës. Mirëpo vrasja e Abes mund të ashpërsojë sigurinë në ngjarje me shumë njerëz, siç janë fushatat, lojërat sportive dhe të tjerat.

Gjatë një debati parlamentar në vitin 2015, Abe u kishte rezistuar thirrjeve të deputetëve opozitarë që të forcohej siguria e tij, duke insistuar se “Japonia ishte vend i sigurt”.