Në Sebastia, qytet i lashtë në Bregun Perëndimor, banorët jetojnë me frikë pas inkursioneve të ushtarëve izraelitë dhe agresioneve të shpeshta. Në janar të këtij viti, 14-vjeçari Ahmed Jazar vdiq tragjikisht kur një ushtar izraelit e qëlloi dhe festoi për këtë akt. Ky incident ka thelluar frikën dhe pasigurinë në mesin e banorëve të Sebastias, të cilët tani jetojnë me frikën e përditshme nga sulme
Kur automjetet ushtarake izraelite afrohen, lajmet për inkursionin e fundit fillojnë të shpërndahen shpejt nëpër Sebastia nga një person te tjetri dhe të rinjtë vrapojnë për në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur.
Ata përpiqen të kthehen para se ushtarët të arrijnë në rrugën e tyre, duke e ditur shumë mirë pasojën potencialisht të rëndë nëse nuk e bëjnë këtë.
Shpesh, paralajmërimet vijnë nga ata që janë duke ecur afër majës së parkut arkeologjik të Sebastias, nga ku mund të shihen automjetet ushtarake në rrugët poshtë, para se të arrijnë në qytet dhe tek rrënojat e tij të lashta, duke u dhënë mundësinë njerëzve t’i fshehin fëmijët e tyre.
Shumë shpejt, paralajmërimet për të mos dalë fillojnë të qarkullojnë edhe nëpër rrjetet sociale, dhe banorët e Sebastias – dikur një vend pelegrinazhi fetar dhe një atraksion turistik – kanë mundësinë të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi ose të përballen me ushtarë të cilët tashmë nuk tregojnë asnjë lloj mëshire.
“Festoi duke ma vrarë të birin”
Në janar të këtij viti, një ushtar izraelit vrau 14-vjeçarin Ahmed Jazar dhe më pas ngriti armën lart me krenari pasi e qëlloi djalin e paarmatosur në gjoks, duke ia prekur zemrën.
Dëshmitarët panë ushtarin që “festonte” teksa Ahmedi po mbytej në gjakun e vet në tokë”, tha babai i tij, Rashid, 57 vjeç, për Al Jazeeran. Ahmedi ishte më i pjekur për moshën e tij, thonë prindërit e tij, dhe i kishte dhënë një vlerë të madhe kujdesit për familjen në nevojë. Ai gjithashtu ishte një piktor i talentuar dhe dëshironte të shkonte për të mësuar dekorim. Ai kishte ambicien të hapte një dyqan për të fituar para dhe për të mundur t’i blinte familjes një shtëpi të përhershme – diçka më të mirë se apartamenti i mbipopulluar ku jetonin.
“Ata e qëlluan Ahmedin dhe vranë të gjitha ëndrrat e tij aty”, tha nëna e tij, Wafaa. “Ushtarët na trajtojnë si të jemi në gjendje lufte – por ne nuk kemi bërë asgjë”.
“Ushtarët janë këtu çdo ditë, dhe askush nuk ndjen se fëmijët e tyre janë të sigurt, përveç nëse janë në shtëpi”.
Ahmedi u zgjua pasdite të dielën kur u vra, thonë Wafaa dhe Rashid, pasi kishte qëndruar vonë natën e kaluar duke luajtur me miqtë në lagje. Atij i pëlqente të luante futboll në oborrin e shkollës, të dilte me biçikletë afër parkut arkeologjik dhe të rrinte në kafetë që dikur ishin të mbushura me njerëz.
Ai u kthye pas një takimi me miqtë dhe kaloi pak kohë me familjen, pa e ditur se ato do të ishin momentet e tij të fundit.
Më pas, afër kohës së darkës, prindërit i kërkuan Ahmedit të shkonte të blinte bukë.
“Ka qenë gjithmonë një zakon i tij të dilte dhe të kthehej kështu”, tha Rashid. “Ai shoqërohej me të gjithë… të gjithë e donin”.
“Po këtë herë, ai doli dhe nuk u kthye më”.
Inkursionet e shpeshta të ushtarëve izraelitë në qytetet e Bregut Perëndimor të pushtuar nxjerrin disa fëmijë dhe të rinj në akte kundërshtimi, siç janë hedhja e gurëve drejt ushtarëve të armatosur ose automjeteve të blinduara, ose përdorimi i dritave laser në drejtim të tyre.
Sipas disa fqinjëve, Ahmedi dhe miqtë e tij e bënë këtë akt në ditën fatale të janarit, duke u fshehur pas një muri pranë një çerdheje ndërsa disa ushtarë po u afroheshin.
Familja e tij mohon pjesëmarrjen e Ahmedit në këtë veprim. Rashid dhe Wafaa thonë se ishin duke pritur për të darkuar së bashku me të.
“Ai ishte vetëm një fëmijë”, tha Rashid. “Ushtari izraelit e dinte se ishte një djalë i ri – dhe se nuk ishte asnjë kërcënim për ushtrinë në asnjë mënyrë”.
“Ai ishte qindra metra larg tyre kur e qëlluan!”.
Dyert dhe fasada e çerdhes, e cila ishte ngritur nga organizata humanitare “Save The Children”, ende qëndrojnë si një kujtim i asaj që ndodhi kur Ahmedi u qëllua për vdekje.
Duke folur për gazetën izraelite Haaretz në mars, një zëdhënës ushtarak tha se pas incidentit, u nis një hetim nga Divizioni i Hetimeve të Krimeve të Policisë Ushtarake. “Natyrisht, nuk mund të japim më shumë detaje për një hetim që është ende në zhvillim”, theksoi ai.
Pavarësisht kësaj, palestinezët, përfshirë banorët e Sebastias, thonë se janë mësuar me ato që ata quajnë “hetime fasadë”, që zakonisht nuk sjellin asnjë rezultat dhe, pothuajse gjithmonë, nuk ka as ndëshkim për autorët.
Rashidi u kontaktua nga ushtria për të dhënë informacion lidhur me hetimin mbi vrasjen e Ahmedit, por ai refuzoi.
“Ata e vranë djalin tim dhe tani më thërrasin për të folur për drejtësinë?”, tha ai.
Al Jazeera u dërgoi pyetje me shkrim autoriteteve izraelite, duke kërkuar komente lidhur me hetimin për vrasjen e Ahmedit, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit të tekstit.
Ushtria izraelite shpesh kryen inkursione në qytete dhe fshatra të Bregut Perëndimor, por pak janë të ngjashme me Sebastian, ku ajo ka intensifikuar sulmet që nga krijimi i qeverisë së ekstremit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu në fund të vitit 2022.
Që atëherë, ushtria ka vrarë Fawzi Makhalfehun, 19 vjeç, në korrik të vitit 2023 dhe Ahmedin më 19 janar të këtij viti.
Ka pasur të paktën 25 plagosje nga plumbat në Sebastia që nga ardhja e qeverisë së koalicionit të Netanyahus në pushtet. Disa prej të plagosurve ishin fëmijë. Një djalë 22-vjeçar nga qyteti i afërt i Attilës u plagos në gjoks ndërsa po kalonte përmes Sebastias më herët këtë muaj.
Edhe kolonët e dhunshëm shkaktojnë kaos te pronarët palestinezë të tokave rreth qytetit, i cili është i varur nga bujqësia dhe turizmi, dhe janë planifikuar edhe më shumë vendbanime, si ato zyrtare ashtu edhe ato jozyrtare, që do të ndërtohen përreth Sebastias.
Ushtarët sulmojnë çdo person që kundërshton dhe shpërndan mesazhe kërcënuese duke përdorur telefonat mobil të banorëve. Një regjistrim, i dëgjuar nga Al Jazeera, i një ushtari që duket të jetë izraelit, akuzon qytetarët e qytetit për “pjesëmarrje në terrorizëm” dhe i paralajmëron se do të “paguajnë çmimin”.
Kujtimi për të birin
Wafaa dhe burri i saj u ulën përballë një memoriali për djalin e tyre të vrarë, në dhomën e ndenjës së shtëpisë me qira që mezi mund të përballojnë. Ahmedi la pas katër vëllezër dhe tri motra, nga 7 deri në 20 vjeç.
Rashidi kishte punuar si piktor në Izrael, por, si mijëra palestinezë në Gazë dhe Bregun Perëndimor, për të ka qenë e pamundur të shkojë për të punuar përtej kufirit që nga 7 tetori.
I biri më i madh, Rushdi, 19 vjeç, punon si mjeshtër për dru pa ndalur, dhe përveç Rashidit, është i vetmi anëtar i familjes që ka një punë.
Ahmedi kishte lënë shkollën, thonë ata, për t’i ndihmuar babait të tij duke punuar herë pas herë me piktura dhe mbledhje ullinjsh për të siguruar para për familjen. Wafaa, e cila dikur qepte fustane, gjithashtu nuk ka mundur të gjejë punë dhe ka ende pesë fëmijë të vegjël që varen nga kujdesi i saj.
Dy nga vëllezërit e mbetur të Ahmedit, Amir, 6 vjeç dhe Adam, 11, ngjiten pas nënës së tyre teksa ajo flet.
“Unë rri pranë varrit të Ahmedit dhe qaj për orë të tëra”, i tha Wafaa Al Jazeera-s, javë pas vrasjes së djalit të saj. “Qaj atje sa të mundem, që fëmijët e mi të mos më shohin – duhet të jem e fortë për ta”.
Për ekipin e Al- Jazeerës, ishte e pamundur të mbanin kontakt me sy me gruan 40-vjeçare, pasi lotët e saj mund të rridhnin në çdo moment.
Ajo mbante në duar rrobat e Ahmedit të përlyera me gjak, të grisura nga plumbat.
Pas largimit të ushtarëve atë ditë, Rashidi kujton se kishte vrapuar për në vendngjarje dhe kishte kaluar nëpër një turmë, vetëm për të gjetur Ahmedin të shtrirë në një “pellg” gjaku, disa metra larg vendit ku ishte qëlluar.
Rashidi e dërgoi më pas Ahmedin me makinë në Spitalin e An-Najah-ut në Nablus, por djali i tij nuk e mbijetoi udhëtimin. Ai u shpall i vdekur sapo mbërriti.
Nëna e tij humbi ndjenjat pasi mori lajmin për vrasjen e Ahmedit dhe thotë se iu duk sikur jeta e saj mori fund aty.
Ajo thotë se Izraeli dëshiron që banorët e Sebastias të ndihen kështu, që ata të mos kundërshtojnë më dhe të largohen.
Rashidi, me një fytyrë që nuk përçon emocion, tha se vrasja e djalit të tij kishte terrorizuar familjen e tij deri në atë pikë sa të qëndronin mbyllur në shtëpi – dhe kur ndodhin inkursione, ata mbyllin dyert, fshihen në dhoma pas, dhe i fikin dritat.
Ai thotë se masa të ngjashme janë marrë nga shumë të tjerë në Sebastia, të cilët janë duke jetuar në frikë, pasi vrasja e djalit të tij dërgoi një mesazh të frikshëm për ata që e quajnë këtë qytet të lashtë shtëpinë e tyre.
“Ushtarët vijnë këtu çdo ditë – dhe tani ne kemi frikë të dalim jashtë”, shtoi Wafaa. “Ata janë të gatshëm t’i qëllojnë fëmijët tani”.
“E lash të birin të shkonte në dyqan për bukë, por e mora të mbuluar në gjak”.