Botë

Von der Leyen: Ukraina e Moldavia duhet t’i bëjnë detyrat e shtëpisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian kanë “detyra shtëpie” për të bërë përpara fazës tjetër të procesit.

Duke folur gjatë një konference të shkurtër për shtyp së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel pas vendimit të BE-së për t'i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendeve kandidate, ajo tha se vendimi forcon Ukrainën dhe Moldavinë.

“Të gjitha vendet duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë përpara se të kalojnë në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit, por jam e bindur se të gjitha do të lëvizin sa më shpejt që të jetë e mundur për të zbatuar reformat e nevojshme”, ka thënë Von der Leyen.

Ajo ka shtuar se Bashkimi Evropian po i tregon edhe një herë botës se është i bashkuar dhe i fortë përballë kërcënimeve të jashtme.