Në prag të Ditës së Evropës, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se shefja e Komisionit Evropian do ta vizitojë nesër Kievin për ta mbështetur Ukrainën në luftën kundër Rusisë. Presidenti Zelenskyy ndërkaq ka propozuar 8 majin si festë kombëtare për Ukrainën, duke theksuar se ukrainasit në fronte lufte po mbrojnë jo vetëm lirinë e tyre, por edhe të Evropës dhe botës.
Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, do të udhëtojë drejt Kievit për të shënuar të martën Ditën e Evropës bashkë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Blloku prej 27 shteteve anëtare e shënon tradicionalisht “paqen dhe unitetin” më 9 maj. Von der Leyen tashmë ka vizituar disa herë Kievin prej agresionit rus të Ukrainës 14 muaj më parë.
Zelenskyy ka bërë të ditur se vendi i tij do ta festojë 9 Majin, sikurse, ka thënë ai, bashkë me krejt Evropën e lirë. Ai ka dorëzuar projektligjin për ta zyrtarizuar 8 Majin si ditë të përkujtimit dhe fitores ndaj nazizmit në Luftën e Dytë Botërore.
“Ne kurrë nuk do të harrojmë kontributin e popullit ukrainas për fitoren ndaj nazizmit. Dhe ne nuk do të lejojmë askënd të shlyejë rolin e ukrainasve në këtë fitore, popullin tonë, atë gjeneratë, kujtimet e të cilëve ne i ruajmë në çdo familje”, ka theksuar Zelenskyy.
Ukraina është zyrtarisht kandidate për anëtarësim, por ende nuk kanë nisur negociatat zyrtare – një proces që mund të zgjasë shumë vjet.
“Tani, si 80 vjet më parë, Ukraina po lufton përsëri kundër të ligës së madhe. Tani, si 80 vjet më parë, Ukraina po lufton për të ardhmen – të ardhmen e saj dhe të mbarë Evropës, të mbarë botës së lirë”, ka thënë Zelenskyy.
Edhe
Zelensky kërkon hyrjen e Ukrainës në BE më 2027, von der Leyen nuk ia konfirmon
Moska ndërkaq po vazhdon përgatitjet për paradën e nesërme.
Parada do të zhvillohet në Sheshin e Kuq të Moskës, për të festuar 78-vjetorin e humbjes së Gjermanisë naziste në vitin 1945.
Rusia shfaq çdo vit armatimet më të fundit, nga tanket tek avionët luftarakë e raketat balistike ndërkontinentale me koka bërthamore.(Përgatiti Rexhep Maloku)
-
Zelensky takohet me Von der Leyen në Bruksel
-
BE-ja planifikon të ndalojë hyrjen në bllok të kujtdo që ka luftuar krah Rusisë në Ukrainë
-
Shtetet e BE-së thërrasin ambasadorët rusë pas kërcënimeve të reja të Moskës
-
Zelensky e quan të padrejtë propozimin gjerman për anëtarësim: Kievi do të mbetej pa zë