GJND-ja ka vendosur që Izraeli duhet t’i parandalojë deklaratat publike që nxisin gjenocidin. Edhe pse gjykata nuk e ka fuqinë ta detyrojë zbatimin e vendimit, Izraeli ka pranuar ta dorëzojë një raport që detajon aksionet që ka ndërmarrë për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e nxitjes. Edhe pse ky raport është dorëzuar, shumë zyrtarë të lartë dhe ushtarë izraelitë vazhdojnë ta shprehin gjuhën diskriminuese ndaj civilëve palestinezë në Gaza
“Digjeni Gazën tani, asgjë më shumë!” Kur nënkryetari i parlamentit të Izraelit, Knesset, ka postuar këtë koment në X në nëntor, platforma e ka bllokuar dhe i ka kërkuar që ta fshinte atë.
Nissim Vaturi ka bërë siç i është kërkuar dhe llogaria e tij është riaktivizuar, por ai nuk ka kërkuar falje.
Komenti i tij është një nga shumë komentet e diskutueshme që janë bërë nga disa zyrtarë të lartë izraelitë, teksa forcat e armatosura të vendit vazhdojnë sulmet ajrore dhe operacionet tokësore në Gaza, si kundërpërgjigje ndaj sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izrael më 7 tetor.
Në ditën e sulmeve, ai kishte postuar: “Tani kemi një qëllim të përbashkët – zhdukja e Rripit të Gazës jashtë faqes së dheut”.
Ky postim, i cili është akoma në X, është cituar në rastin e Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), në të cilën Afrika e Jugut pretendon se Izraeli është duke kryer gjenocid kundër palestinezëve, në luftën në Gaza. Izraeli e ka quajtur rastin “krejtësisht të pabazuar” dhe të bazuar në “pretendime të njëanshme dhe të rreme”.
Si pjesë e gjykimit në janar, GJND-ja ka vendosur që Izraeli duhet t’i parandalojë deklaratat publike që nxisin gjenocidin. Edhe pse gjykata nuk e ka fuqinë ta detyrojë zbatimin e vendimit, Izraeli ka pranuar ta dorëzojë një raport që detajon aksionet që ka ndërmarrë për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e nxitjes. Gjykata ka konfirmuar se ka marrë raportin në shkurt, por detajet nuk janë bërë publike.
Disa ekspertë ligjorë besojnë se Izraeli nuk po bën mjaftueshëm për t’i hetuar rastet potenciale.
“Izraelitët që nxisin gjenocidin ose përdorin retorikë gjenocidale janë imunë nga persekutimit”, thotë avokati izraelit i të drejtave të njeriut, Michael Sfard.
Vërtetimi i nxitjes së gjenocidit, që është krim nën të drejtën ndërkombëtare dhe izraelite, është i vështirë. Gjenocidi është i definuar si akt që synon ta shkatërrojë, plotësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar. Por dallimi mes nxitjes së gjenocidit dhe nxitjes së dhunës ose racizmit mund të jetë kompleks.
Një organizatë pro-palestineze për të drejtat e njeriut ka krijuar një rrjet të ekspertëve dhe hulumtuesve nga e gjithë bota që monitorojnë konfliktin, “Ligji për Palestinën”, ka shikuar rastet ku besohet se zyrtarët izraelitë dhe figura të tjera publike kanë nxitur gjenocid. Lista përfshin disa deklarata nga ministri i Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë izraelit, Itamar Ben-Gvir.
Ben-Gvir ka mbrojtur një politikë që i inkurajon palestinezët të largohen nga Gaza, duke thënë se izraelitët duhet të vendosen atje.
Ai udhëheq partinë ultranacionaliste, e cila kritikohet gjerësisht për përkrahjen e politikave diskriminuese racore anti-arabe. Ai ka dënime të mëparshme nga gjykata izraelite – që datojnë para futjes së tij në qeveri – për nxitje të racizmit dhe mbështetje të terrorizmit.
Dy ditë pas vendimit të GJND-së në janar, ai ka përkrahur një politikë që inkurajon palestinezët të largohen nga Gaza dhe të zëvendësohen nga kolonët izraelitë. Ai ka thënë se për ta shmangur përsëritjen e sulmit të Hamasit në Izrael “ne duhet të rikthehemi në shtëpi dhe ta kontrollojmë territorin (Gaza)... duke inkurajuar migrimin dhe dhënien e dënimit me vdekje ndaj terroristëve”, duke propozuar se emigrimi duhet të bëhet vullnetarisht.
“Ne e konsiderojmë thirrjen për zhvendosjen e popullsisë së Gazës si pjesë të pastrimit etnik që po ndodh në Gaza”, thotë themeluesi i “Ligjit për Palestinën”, Ihsan Adel. Ai beson se këto thirrje duhet të konsiderohen nxitje të gjenocidit dhe se gjenocidi është duke ndodhur – akuzë që Izraeli e mohon.
Por jo gjithkush bie dakord me këtë vlerësim. “Sigurisht nuk do të mbroj një deklaratë të tillë, por nuk e arrin nivelin e gjenocidit”, thotë Anne Herzberg, këshilltare ligjore e OJQ-së “Monitor”, që raporton nga perspektiva pro-izraelite.
As Ben-Gvir e as Vaturi nuk kanë komentuar për këtë çështje.
Lidhja mes asaj që thonë politikanët dhe asaj që thonë ushtarët izraelitë ka qenë pjesa kryesore e rastit të Afrikës së Jugut në GJND.
Në një video në Youtube nga fundi i vitit 2023, një grup me ushtarë të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) mund të dëgjohen duke brohoritur: “Okuponi, dëboni dhe vendosuni”. Dhe ushtarët kanë bërë video të tjera që nga vendimi i GJND-së në janar duke u tallur dhe duke e festuar shkatërrimin e Gazës.
IDF-i ka thënë se i ka ekzaminuar raportet e videove online dhe se nëse dyshohet për shkelje kriminale, policia ushtarake do të hetojë dhe “në disa nga rastet e ekzaminuara, është dalë në përfundim se shprehjet dhe sjellja e ushtarëve në pamje është e papranueshme dhe se do të trajtohet siç duhet”.
Në qendër të vëmendjes janë liderët fetarë izraelitë. Rabbi Eliyahu Mali ka tërhequr vëmendje pasi ka mbajtur një fjalim në mars, në një konferencë për yeshivën sioniste të Izraelit - shkollë fetare hebreje me besim të fortë në Shtetin e Izraelit. Mali është kreu i yeshivas që është pjesë e një rrjeti që merr fonde nga Ministria e Mbrojtjes së Izraelit. Studentët e saj përziejnë studimet fetare “Torah” me shërbimin ushtarak.
Ai e ka përshkruar përmbajtjen e fjalimit si “trajtim të popullatës civile në Gaza gjatë luftës”.
Një pamje e saj është shpërndarë online. Pasi ka cituar një studiues hebre të shekullit të 12-të në luftërat fetare, Mali ka thënë: “Dhe rregulla bazike që kemi kur luftojmë një luftë mitzvah, në këtë rast në Gaza, sipas skripteve, ‘Nuk duhet ta lësh asnjë shpirt të gjallë’, kuptimi është shumë i qartë – nëse nuk i vret, ata do të të vrasin ty”.
Në judaizëm, një luftë mitzvah përfshin mbrojtjen e jetës dhe sovranitetin hebre dhe konsiderohet e obligueshme.
Arsyetimi në një letër nga Mali ka thënë se fjalët e tij janë “keqinterpretuar gabueshëm nga fragmentet e nxjerra jashtë kontekstit”.
Sipas letrës, ai ka treguar se si ishte kjo në kohët antike, por se e ka “bërë të qartë se kushdo që ndjek urdhrat biblike sot, mund t’i shkaktojë dëm të madh ushtrisë dhe kombit” dhe se nën të drejtën kombëtare “është e ndaluar ta lëndosh popullatën civile nga fëmijët e deri te të moshuarit”.
Në disa raste gjatë fjalimit të tij, ai ia përkujtonte audiencës këto pika, duke përfshirë edhe përfundimet , dhe duke thënë në fillim: “Duhet t’i ndjekësh urdhrat e ushtrisë”.
Megjithatë, gjatë bisedës, ai specifikisht ka përmendur njerëzit e Gazës duke thënë: “Mendoj se ka dallim mes popullatës civile të vendeve të tjera dhe asaj të Gazës”, duke shtuar një pretendim pa bazë se “95 deri në 98 për qind janë të interesuar në vdekjen tonë, kjo është shumica, kjo është befasuese”.
Kur një anëtar i audiencës e ka pyetur për foshnjat, ai ka thënë: “Të njëjtë... sipas urdhrit: ‘Nuk duhet ta lësh asnjë shpirt gjallë’... Sot është foshnjë, nesër djalë, nesër luftëtar”.
Në fjalim, rabbi gjithashtu ka treguar për atë që i ka thënë djalit, që ka shkuar të luftojë pas sulmeve të 7 tetorit. Ai ka thënë se djali “duhet të vrasë çfarëdo që lëviz”. Ai ka shpjeguar se komandanti i djalit të tij i ka thënë të njëjtën gjë dhe se e ka udhëzuar djalin “t’i ndjekë urdhrat e komandantit”.
Më vonë, ai e ka përsëritur se nuk e ka pritur që ushtarët ta ndjekin “Torahn”. Ai ka thënë se ligjet e shtetet janë në kontradiktë me ato të “Torahs”, duhet të ndiqet ligji i shtetit dhe se ”ligjet e shtetit duan të vrasin vetëm terroristët e jo popullatën civile”.
Eitay Mack, avokat nga grupi izraelit “Tag Meir” që bën fushatë kundër racizmit dhe diskriminimit, thotë se i ka kërkuar policisë ta hetojë rabbin nën dyshimet se po nxit kryerje të gjenocidit, dhunës dhe terrorizmit.
Ai thotë se është duke pritur akoma ta marrë vesh nëse kërkesa për hetim do të pranohet.
Një tjetër pretendim i bërë nga Afrika e Jugut në seancën dëgjimore të GJND-së ishte për “mesazhet gjenocide që vazhdimisht shfaqen – pa censurë dhe sanksion – në mediet izraelite”.
Në shkurt, në Channel 14 të krahut të djathtë, gazetari Yaki Adamker ka thënë: “Palestinezët e Gazës sa më intereson mua, mund të vdesin nga uria. Pse më intereson mua për ta?”
Në prill, një gazetar izraelit në kanalin më të shikuar të vendit, Channel 12, Yehuda Schlesinger, ka mbajtur qëndrim të njëjtë, duke thënë: “Nuk ka të pafajshëm në Rripin e Gazës, nuk ka. Kanë votuar për Hamasin, e duan Hamasin”.
Për Anne Herzberg, kjo mund të tregojë “mungesë shqetësuese të empatisë për njerëzit në Gaza dhe me atë që po kalojnë”, por “nuk bën thirrje për gjenocid”.
Kur bëhet fjalë nëse autoritetet duhet të kontrollojnë më fort atë që transmetohet, avokati izraelit i të drejtave të njeriut, Michael Sfard paralajmëron se “rregullatorët, që është shteti, duhet të sigurohen që transmetimi publik të mos shfrytëzohet” nga njerëzit që bëjnë komente provokuese.
Ndërsa vendimi i GJND-së në parandalimin e nxitjes së gjenocidit i është drejtuar Izraelit, Hamasi gjithashtu është akuzuar për deklarata me “nxitje të gjenocidit”.
“Gjuha asgjësuese e Hamasit përsëritet rregullisht nga udhëheqësit e tij”, thotë Tal Becker, këshilltar ligjor në Ministrinë e Jashtme të Izraelit.
Në vitin 2021, Yahya Sinwar, që sapo është bërë lideri i Hamasit ka thënë: “Ne mbështesim eliminimin e Izraelit përmes luftimeve të xhihadit dhe atyre të armatosura, kjo është doktrina jonë”.
Dhe, kohëve të fundit, disa zyrtarë të Hamasit kanë pretenduar se duan ta përsërisin sulmin e 7 tetorit, gjatë të cilit janë vrarë rreth 1200 njerëz dhe 251 të tjerë janë marrë peng.
Në nëntor, një anëtar i zyrës politike të Hamasit, Ghazi Hamad, ka thënë: “Ne duhet t’i japim një mësim Izraelit dhe do ta bëjmë këtë përsëri dhe përsëri”.
Gjatë kësaj kohe, lideri i Hamasit jashtë vendit, Khaled Mashaal, ka thënë se 7 tetori “ka hapur rrugë të re drejt eliminimit të Izraelit”.
Hamasi nuk ka komentuar rreth kësaj çështjeje.
Shumë duan ta shohin grupin – që njihet si organizatë terroriste nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, BE-ja dhe vendet e tjera – të mbajë përgjegjësi.
“Është mjaft e qartë se kanë qëllime për gjenocid, dëgjojmë pak për hetimin e Hamasit dhe mendoj që kjo është pjesa që i mungon këtij konflikti”, thotë Anne Herzberg.
Raportuesja speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret e pushtuara palestineze, Francesca Albanese, bie dakord se liderët e Hamasit duhet të mbahen përgjegjës. Por ajo thotë: “Kur vlerësohet gjenocidi, nën një shikohen fjalët e folura nga liderët, por gjithashtu kapaciteti për të kryer gjenocid, gjë që Hamasi duket se nuk e ka”.
Ndryshe nga Izraeli, Hamasi nuk mund të dërgohet në GJND, sepse nuk është shtet. Gjithsesi një organ tjetër, Gjykata Kriminale Ndërkombëtare (ICC), mund t’i mbajë përgjegjës individët. Në maj prokurorët kanë aplikuar për urdhërarrest të liderëve të Hamasit, Yahya Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh për krime kundër njerëzimit dhe të luftës. Ai gjithashtu ka kërkuar të njëjtën për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant. Si Hamasi, ashtu edhe Izraeli kanë reaguar me zemërim.
Sa i përket asaj që autoritetet izraelite po bëjnë për të parandaluar dhe ndjekur penalisht personat e dyshuar për nxitje të dhunës, prokurori i përgjithshëm i vendit dhe prokurori i shtetit kanë pranuar se çdo deklaratë që bën thirrje për dëmtim të qëllimshëm ndaj civilëve “mund të përbëjë vepër penale, duke përfshirë veprën e nxitjes”. Pak para seancës dëgjimore të GJND-së në janar, ata kanë thënë se disa raste ishin duke u shqyrtuar.
Megjithatë, kohëve të fundit, Haaretzi ka raportuar se prokurori i shtetit ka rekomanduar që të mos hapeshin hetime penale kundër figurave të larta publike, përfshirë ministrat dhe anëtarët e Knessetit, të cilët “kanë bërë thirrje për t’i dëmtuar civilët në Rripin e Gazës”. Vendimi përfundimtar i takon prokurorit të përgjithshëm.
Dhe ndërsa GJND-ja vazhdon të punojë drejt një vendimi përfundimtar në këtë rast, njerëzit vazhdojnë të vdesin - që nga tetori, më shumë se 40,000 palestinezë raportohet të jenë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së saj të Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.