Ishujt Kanare në Spanjë i janë bashkuar të premten rajonit të Valencias për të kërkuar ashpërsimin e masave për mbrojtje nga koronavirusi, shkaku i përhapjes së rasteve të reja të infektimit kryesisht mes të rinjve të pavaksinuar.
Në nivel shtetëror, bilanci i rasteve ka rënë në muajt e fundit, por një ngritje e lehtë është raportuar nga mesi i muajit qershor. Në përhapjen e rasteve ka ndikuar varianti Delta i koronavirusit.
Qëkur përfundoi gjendja e emergjencës në maj, autoritetet rajonale kanë vendosur individualisht për ashpërsimin e masave, por për një gjë të tillë nevojitet edhe miratimi nga gjykata.
Ishujt turistikë të Spanjës kanë bërë të ditur se do të kërkojnë nga Supremja që ta autorizojë orën policore nga mesnata deri në gjashtë të mëngjesit. Sipas autoriteteve, miratimi i orës policore do të shmangte tubimin e të rinjve nëpër vende të ndryshme të ishullit. Ngjashëm ka vepruar edhe Valencia që ka kërkuar nga qeveria qendrore ta lejojë orën policore.
E varur shumë nga turizmi, Spanja ka tentuar që ta gjejë baraspeshën midis hapjes së ekonomisë dhe kontrollimit të përhapjes së koronavirusit.