Botë

Vdiq zëvendëskancelari i Zvicrës

Andre Simonazzi

Zëvendëskancelari i Zvicrës, Andre Simonazzi, vdiq të premten në moshën 55-vjeçare, ka thënë qeveria zvicerane në një deklaratë.

Simonazzi vdiq pasi u rrëzua gjatë hikingut me familjen e tij, ka bërë të ditur qeveria, duke falënderuar për shërbimet që kur nisi punën në vitin 2009.  

Në Zvicër kancelari dhe zëvendëskancelari nuk janë politikanë, por nëpunës civilë që kryejnë një sërë funksionesh administrative. Zëvendëskancelari shërben veçanërisht si zëdhënës i qeverisë në detyrë.

“Ai e shihte komunikimin qeveritar si shërbim për publikun dhe qeverinë. Kur hasi në rezistencë, iu drejtua argumenteve, zgjuarsisë dhe sharmit”, ka thënë kancelaria federale në një deklaratë.

Disa parti në të gjithë spektrin politik të Zvicrës shprehën dhimbjen dhe ngushëllimet për familjen e Simonazzit.

Simonazzi ka studiuar në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Gjenevë, sipas biografisë së tij zyrtare, dhe ka punuar si gazetar dhe oficer komunikimi përpara se të bashkohej me qeverinë. Ai la pas gruan dhe tre fëmijë të rritur.