Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vdiq kongresistja amerikane Jackie Walorski, u aksidentua në Indiana

Vdiq kongresistja amerikane Jackie Walorski, u aksidentua në Indiana

Kongresistja amerikane, Jackie Walorski, dhe dy anëtarë të tjerë të stafit të saj kanë vdekur në një aksident trafiku të mërkurën në Indiana, ka njoftuar zyra e saj dhe policia lokale, shkroi Reuters.

“Walorski, republikane që përfaqësonte distriktin e 2-të të Kongresit të Indianës në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, po udhëtonte në një automjet me dy të tjerët kur një veturë tjetër doli në korsinë e tyre”, ka thënë policia.

Sipas njoftimit, 58-vjeçarja vdiq si pasojë e plagëve të marra.

Në këtë aksident, i vdekur mbeti edhe drejtuesi i automjetit tjetër të përfshirë.

Walorski shërbeu në Komitetin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe si Republikanja e lartë në nënkomisionin për mbështetjen e punëtorëve dhe familjes.

Para zgjedhjes së saj në vitin 2012 në Dhomën e Përfaqësuesve, Walorski shërbeu tre mandate në legjislaturën e Indianës, kaloi katër vjet si misionare në Rumani së bashku me bashkëshortin e saj dhe punoi si reportere e lajmeve televizive në South Bend.