Në moshën 89-vjeçare ka vdekur Naval al-Sadavi, luftëtarja më e madhe për të drejtat e grave në Egjipt dhe me gjerë në botën arabe. Për shkak të angazhimit të saj ajo u kërcënua me vdekje dhe u burgos. “Unë e them të vërtetën. Dhe e vërteta është e tmerrshme dhe e rrezikshme”, shkroi Naval al-Sadavi.
Shumëkush në Egjipt e quante Naval al-Sadavin “gjyshja e lëvizjes për të drejtat e grave”. Në moshën 89-vjeçare nuk është mungesë respekti nëse një gruas i thuhet gjyshe. Megjithatë, Naval al-Sadavit, e cila vdiq në këtë moshë, më shumë me gjasë do t’i pëlqente përshkrimi si luftëtare e përjetshme për të drejtat e grave. Ajo ishte e tillë gjatë pothuaj gjithë jetës së saj të moshës aktive.
Në esetë, romanet, pamfletet, traktatet dhe polemikat e saj Naval al-Sadavi tematizoi dhunën kundër grave në hapësirën kulturore arabe. “Ata më thanë: ti je një grua e egër dhe e rrezikshme. Unë e them të vërtetën. Dhe e vërteta është e tmerrshme dhe e rrezikshme”, shkroi Naval al-Sadavi, e cila ishte mjeke, feministe dhe shkrimtare. “Sinqeriteti i saj brutal dhe angazhimi i palodhshëm për përmirësimin e të drejtave politike dhe seksuale të grave inspiroi gjenerata të tëra”, shkruan BBC në një tekst përkujtimor.
Disa libra të saj u ndaluan në Egjipt dhe vende të tjera arabe. Ajo shkroi se shamia keqpërdoret nga burrat si instrument për të shtypur dhe kontrolluar gratë. Kritika e saj nuk kufizohej vetëm në hapësirën arabo-islamike. Sipas saj edhe krishterimi ka synime për shtypjen e grave. Për shkak të mendimeve të saj ajo u kërcënua me vdekje dhe u burgos. Shpirti i saj kryengritës u ndez me gjasë që në rini kur kishte dëgjuar gjyshen e saj duke thënë: “Një djalë ka vlerë sa 15 vajza”.