Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mahsa Amini shpallet finaliste për çmimin “Sakharov”

Mahsa Amini, gruaja kurdo-iraniane, 22-vjeçare, vdekja e së cilës shkaktoi protesta në mbarë botën kundër teokracisë konservatore islame të Iranit, është emëruar si finaliste për çmimin kryesor të të drejtave të njeriut të Bashkimit Evropian.

Parlamenti Evropian ka shpallur tre finalistët për Çmimin “Saharov” për Lirinë e Mendimit të këtij viti, duke përfshirë Mahsa Aminin.

Mahsa Amini vdiq më 16 shtator 2022, tre ditë pasi u arrestua nga e ashtuquajtura polici e moralit e Iranit, gjoja për shkelje të ligjeve që kërkojnë që gratë të mbulojnë flokët në publik. Ndonëse autoritetet thanë se ajo pësoi atak në zemër, mbështetësit e Aminit thanë se ajo u rrah nga policia dhe vdiq si pasojë e plagëve të marra, raportoi AP. 

Vdekja e saj shkaktoi protesta që u përhapën në të gjithë vendin dhe u përshkallëzuan me shpejtësi, me thirrje për përmbysjen e teokracisë islame të Iranit. Autoritetet u përgjigjën me dhunë gjatë protestave, duke lënë më shumë se 500 njerëz të vdekur dhe duke arrestuar mbi 22 mijë të tjerë.

Çmimi i BE-së, i emëruar sipas disidentit sovjetik Andrei Sakharov, u krijua në vitin 1988 për të nderuar individë ose grupe që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Sakharov, laureati i Çmimit Nobel për Paqe, vdiq në vitin 1989.

Fituesi i këtij viti do të shpallet më 19 tetor.