Muzgu i karrierës së tij politike ishte shënuar me Irakun, kur ai ishte bërë njëri prej politikanëve më të zëshëm në thirrjen për ndërhyrje në atë që rezultoi të ishte lufta më e gjatë dhe më e kushtueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Donald Rumsfeld, dy herë sekretari amerikan i Mbrojtjes dhe kandidati për president, reputacioni i të cilit prej një burokrati dhe vizionari të shkathtë në historinë moderne ushtarake të SHBA-së ishte rrënuar nga lufta e kushtueshme dhe e gjatë e vendit në Irak, ka vdekur të mërkurën në moshën 88-vjeçare.
Familja e Rumsfeldit ka njoftuar se ai “ishte i rrethuar nga familjarët në qytetin e tij të dashur Taos, në New Mexico”.
Presidenti George W. Bush, nën të cilin Rumsfeldi ka shërbyer si shef i Pentagonit, ka lartësuar të mërkurën “shërbimin e tij të vendosur si sekretar i Mbrojtjës – një detyrë kjo të cilën ai e kreu me fuqi, shkathtësi dhe nder”.
I cilësuar nga ish-kolegët si i mençur dhe i vendosur, patriot e politikan dinak, Rumsfeldi ka pasur karrierë të gjatë në qeveritë e katër presidentëve amerikanë.
Pas pensionimit më 2008, ai ka udhëhequr Fondacionin Rumsfeld për promovimin e shërbimeve publike dhe ka bashkëpunuar me organizata të bamirësisë për shërbime dhe mbështetje familjarëve të ushtarëve dhe veteranëve të plagosur.
“Rummy”, siç njihej rëndom, ishte vlerësuar si personalitet ambicioz, mendjeprehtë, energjik, i përkushtuar dhe i vendosur. Por ai kishte irrituar amerikanët me stilin e tij jokonvencional.
Megjithëkëtë ka pasur një rrjet të gjerë njerëzish besnikë që e admironin etikën e tij në punë, inteligjencën dhe mosdurimin karshi çdokujt që nuk e ndante ndjenjën e tij të urgjencës.
Rumsfeld ishte i vetmi që ka shërbyer dy herë si shef i Pentagonit. Të parën herë, në vitet 1975-1977, ai ishte më i riu ndonjëherë në këtë detyrë. Tjetrën, midis viteve 2001-2006, ishte më i moshuari. Më 1988 ishte kandidat për nominimin republikan për president.
Muzgu i karrierës së tij politike ishte shënuar me Irakun, kur ai ishte bërë njëri prej politikanëve më të zëshëm në thirrjen për ndërhyrje në atë që rezultoi të ishte lufta më e gjatë dhe më e kushtueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në nëntë muajt e mandatit të tij të dytë si sekretar Shtetit, ndodhën sulmet terroriste të 11 shtatorit të 2001 në kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë dhe në Pentagon, duke e tërhequr vendin në luftërat e vazhdueshme për të cilat nuk ishte e përgatitur sa duhet. Rusmfeldi ka mbikëqurur ndërhyrjen e SHBA-së në Afganistan dhe rrëzimin e regjimit taleban. Ai ia kishte ofruar dy herë dorëheqjen ish-presidentit Bush më 2004, pas zbulimit se trupat amerikane kishin abuzuar të burgosurit në Abu Ghraib të Irakut, një episod ky së cilit më vonë iu referua si koha më e errët e mandatit të tij.
Në nëntorin e 2006-s, pasi që demokratët e morën kontrollin mbi Kongresin me thirrjen antiluftë, Bush më në fund vendosi se Rumsfeldi duhej të shkonte. Ai u largua nga detyra në dhjetorin e atij viti për t’u zëvendësuar nga Robert Gatesi.
Rumsfeld ka lënë prapa vetes bashkëshorten Joyce, tre fëmijët dhe shtatë nipërit.