Botë

Vala e madhe e arrestimeve të motivuara politikisht në Turqi

Arrestimet e motivuara politikisht në Turqi

Në Turqi po zhvillohet hetim i gjerë ligjor që deri më tash ka pasur në shënjestër kryesisht anëtarë të Partisë Popullore Republikane (CHP), subjekti kryesor opozitar dhe trashëgimtari i Ataturkut. Sipas analizës së publikuar nga agjencia e lajmeve Reuters, mbi 500 persona janë ndaluar që nga tetori i 2024-tës, përfshirë 14 kryebashkiakë të zgjedhur dhe mbi 200 zyrtarë lokalë të CHP-së. E më shumë se 220 janë burgosur ose vendosur në arrest shtëpiak. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka cilësuar hetimin si përpjekje për të çrrënjosur një rrjet të korruptuar “me krahë që shtrihen nëpër Turqi dhe jashtë saj”. Megjithatë, kritikë dhe analistë të ndryshëm e konsiderojnë këtë valë arrestimesh si të motivuar politikisht me qëllimin për ta dobësuar opozitën dhe për ta konsoliduar pushtetin e Erdoganit, në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

Kundërshtarët kryesorë politikë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, janë përballur me goditje të pashembullt. Më shumë se 500 persona janë ndaluar brenda vetëm nëntë muajsh, sipas analizës së publikuar nga agjencia e lajmeve Reuters lidhur me hetimin dhe valën e gjerë të arrestimeve që është përshpejtuar në ditët e fundit.

Presidenti turk ka deklaruar se hetimi e ka në shënjestër atë që e ka përshkruar si rrjet të korruptuar që, sipas tij, është si “një oktapod me krahë që shtrihen në pjesë të tjera të Turqisë dhe jashtë saj”.
Hetimi, i cili filloi në Stamboll, porse tashmë është përhapur në të gjithë vendin, ka pasur në shënjestër vetëm bashkitë e drejtuara nga Partia Popullore Republikane (CHP), partia e atit themelues të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk.

CHP-ja i ka kundërshtuar akuzat për korrupsion teksa i cilëson ato si përpjekje për të eliminuar një alternativë demokratike për qytetarët turq, akuzë të cilën qeveria e mohon.

Kjo shtypje politike e konsolidon pushtetin e Erdoganit, në kohën kur ndikimi i Turqisë në Lindjen e Mesme dhe në Evropë ka qenë në rritje e sipër. Për këtë arsye, diplomatët dhe analistët kanë sugjeruar se kritikat nga radhët e aleatëve perëndimorë deri më tani kanë qenë të zbehta, pavarësisht protestave që shpërthyen në rrugë këtë pranverë.

Sipas shqyrtimit të dokumenteve ligjore dhe deklaratave shtetërore, 14 kryebashkiakë të zgjedhur të CHP-së, përfshirë kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu – rivalin kryesor politik të Erdoganit – dhe më shumë se 200 anëtarë ose zyrtarë lokalë të partisë janë burgosur dhe janë në pritje të gjykimit.

Që nga grusht shtetet e viteve 1960, 1970 dhe 1980 nuk ka pasur përjashtim kaq të madh të liderëve politikë nga detyra zyrtare, dhe këtë herë në bazë të provave që ende nuk janë bërë publike – të cilat avokatët e të dyshuarve i quajnë të fabrikuara.

“Këto hetime po përdoren si mjet për konsum politik dhe jo për hetime objektive të ngjarjeve konkrete”, ka thënë Ertugrul Gunay, ish-ministër i Kulturës dhe Turizmit në kabinetet e Erdoganit nga 2007 deri në 2013.

Ai pati dhënë dorëheqje nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) pas arrestimit të mijëra qytetarëve turq gjatë protestave antiqeveritare të “Gezi Park” në vitin 2013. Sipas tij, fushata aktuale ligjore – edhe pse më e vogël në shkallë – ka shkuar më tej duke goditur një qeveri të mundshme në të ardhmen, e cila po rritet në sondazhe.

Vala e arrestimeve pasqyron “ankthin dhe panikun që partia në pushtet ndien për zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Gunay për agjencinë Reuters.

Erdogani dhe ministrat e tij i kanë hedhur poshtë në vazhdimësi akuzat e kritikëve për ndërhyrje në sistemin gjyqësor, tek kanë thënë se gjykatave të pavarura iu duhet ende kohë për të shqyrtuar të gjitha provat. 

“Kjo është çështje ligjore e jo politike. Ne nuk jemi të përfshirë në asnjë aspekt të këtij procesi”, kishte thënë Erdogani para deputetëve të AKP-së në parlament të mërkurën.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan

Mbi 220 persona në burg

Në qendër të hetimeve është Ekrem Imamoglu, kryebashkiaku i qytetit të Stambollit, i cili u burgos në muajin mars, teksa tashmë është në pritje të një seance gjyqësore nën akuzat për korrupsion.

Ai është kandidat për president i CHP-së për zgjedhjet e ardhshme, teksa arrestimi i tij nxiti protestat më të mëdha kombëtare që nga ato të vitit 2013.

Por përtej Imamoglut – i cili edhe pse në burg ende prin ndaj Erdoganit në disa sondazhe – analiza e Reutersit ka zbuluar se më shumë se 500 persona janë ndaluar dhe marrë në pyetje që nga fillimi i hetimeve në tetor të vitit të kaluar, përfshirë të paktën 202 vetëm në javën e kaluar.

Nga këta, më shumë se 220 janë burgosur ose u është caktuar arresti shtëpiak, sipas analizës, që u bazua pjesërisht në përmbledhjen e raporteve të agjencisë shtetërore Anadolu.

Zyra e Erdoganit dhe Ministria e Drejtësisë nuk iu përgjigjën kërkesës për të publikuar bilancin e saktë të ndalimeve dhe arrestimeve.

Reutersi ka zbuluar gjithashtu se të paktën 36 persona, kryesisht nga sektori privat që kanë bërë biznes me bashkitë, kanë dhënë një deklaratë të dytë para prokurorëve nga burgu, sipas dispozitës së “pendesës efektive” në ligjin turk – pas së cilës 32 prej tyre janë liruar nën masat e kontrollit gjyqësor.
Sipas prokurorëve dhe burimeve, këto deklarata kanë identifikuar të dyshuar të tjerë.

Që nga e marta e kaluar, hetimi është zgjeruar në Izmir, qytetin e tretë më të madh në Turqi, si dhe në Antalya, Adana dhe Adiyaman – bashki këto të fituara nga CHP-ja në zgjedhjet lokale të marsit të kaluar, të cilat ishin humbja më e madhe elektorale e AKP-së.

“Krahët e oktapodit”

Erdogani ka parashikuar në muajt e fundit se do të ketë më shumë akuza dhe arrestime, duke nxitur më tej shqetësimet për ndërhyrje politike

Disa ditë pas deklaratës së tij për “krahët e oktapodit”, pesë kryetarë qarqesh në Stamboll dhe në Adana ishin arrestuar nën akuzat për korrupsion.

Zyra e Erdoganit dhe Ministria e Drejtësisë nuk kanë dhënë përgjigje ndaj kërkesës për koment mbi aludimet e kritikëve se deklaratat publike të autoriteteve në lidhje me hetimin dëmtojnë pavarësinë e gjyqësorit, si dhe që hetimi synon padrejtësisht vetëm CHP-në për përfitime politike. 

Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë ka publikuar një listë të ish-kryetarëve të AKP-së që janë dënuar për akuza të ngjashme nëpër hetime të veçanta, duke thënë se pretendimet se vetëm CHP-ja është në shënjestër janë “plotësisht të pabazuara”.

Shumica e të listuarve ishin hetuar pasi që e kishin dorëzuar detyrën zyrtare, si dhe nuk ishin burgosur paraprakisht në pritje të gjykimit.

Analiza e Reutersit mbi hetimet e fundit ka treguar se nuk është ndërmarrë asnjë veprim ligjor në 14 nga 39 distriktet e Stambollit që drejtohen nga AKP-ja.

Mehmet Pehlivan, avokati i Imamoglut, i cili ishte burgosur gjithashtu muajin e kaluar nën akuzat për lidhje me organizata kriminale, të cilat ai i mohon, ka deklaruar për Reutersin nga burgu se ky hetim kërkon që të kriminalizojë të drejtën për të ushtruar profesionin e avokatit.

Ai ka thënë se për kryebashkiakun e Stambollit nuk ka “asnjë provë konkrete”.

Prokurorët ende nuk kanë ngritur aktakuzat.

Në transkriptin prej 121 faqesh të pyetjeve të policisë, që është parë nga Reutersi, tregohet se Imamoglu është përballur me akuzën se kishte bashkëpunuar me një grup burrash që supozohet se ishin takuar me të në një kafene për të diskutuar pagesat e ryshfetit.

Sipas dokumenteve, policia e ka pyetur të paktën 150 herë se pse telefoni i tij ishte i lidhur me të njëjtën antenë sikurse telefonat e atyre personave. Imamoglu ishte përgjigjur se banesa e tij në atë kohë ndodhej pranë kafenesë, ndaj ishte e natyrshme që telefoni të përdorte të njëjtën antenë.

Zëdhënësi i prokurorisë nuk ka komentuar menjëherë rreth pyetjeve të autoriteteve policore.

CHP-ja i ka mohuar të gjitha akuzat për korrupsion kundër zyrtarëve të saj komunalë, porse ka deklaruar se do të hetojë rastin pas publikimit të pamjeve nga transmetuesi shtetëror TRT që tregojnë nënkryetarin e bashkisë së Manavgatit, që ndodhet në provincën jugore të Antalias, duke pranuar ryshfet.

Protesta

Zgjedhjet e ardhshme

Turqia në të kaluarën ka përjetuar valë arrestimesh masive të liderëve pro-kurdë, anëtarëve të shoqërisë civile, oficerëve ushtarakë dhe grupeve të ndaluara, veçanërisht gjatë mandatit gjithnjë e më autoritar të Erdoganit.

CHP-ja kishte qenë relativisht e kursyer gjatë epokës së Erdoganit, gjatë së cilës ajo humbi disa palë zgjedhjesh përballë AKP-së që nga viti 2002.

Edhe pse zgjedhjet e ardhshme presidenciale nuk janë planifikuar të mbahen deri në vitin 2028, ato mund të zhvillohen më herët nëse Erdogani ka dëshirë të rikandidojë. Ai gjithashtu mund të kërkojë ta ndryshojë kufirin kushtetues prej dy mandateve.

Kryebashkiakët e CHP-së, përfshirë 14 në burg dhe njërin në arrest shtëpiak, i kanë mohuar të gjitha akuzat për korrupsion, ryshfet dhe terrorizëm, për të cilat presin vendim gjyqësor. Disa prej tyre janë pezulluar nga detyra.

Kryetari i CHP-së, Ozgur Ozel, ka thënë se kryebashkiakët “kanë rënë peng i këtij grusht shteti kundër partisë së Ataturkut” gjatë një fjalimi të dielën, i cili nxiti hetim të veçantë ndaj tij për fyerje të presidentit.