Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ushtria ruse urdhërohet t’i shtojë operacionet luftarake në Ukrainë

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka urdhëruar ushtrinë që t’i shtojë operacionet në Ukrainë, në përpjekje për ta marrë kontrollin e plotë të rajonit lindor të Donetskut, raportoi AP-ja të hënën.

Shoigu tha se operacionet duhet intensifikuar edhe me qëllim që sipas tij, “të parandalohen sulmet ukrainase mbi infrastrukturë civile e te banorët në Donbas e gjetkë”.

Ai tha se brenda dy ditëve të fundit u vranë 600 ushtarë ukrainas, pas sulmeve ajrore mbi Siversk.

Ushtria ruse besohet se është fokusuar në riorganizimin e forcave në përgatitje për ofensivën tjetër tokësore në shkallë të plotë. Kjo vjen pas deklaratës së saj më 3 korrik, se ka marrë kontrollin e plotë të rajonit lindor të Luhanskut.

Instituti Amerikan për Studimin e Luftës tha se forcat ruse synojnë t’i japin fund “pauzës” operacionale.

Trupat ukrainase kanë shtuar presionin në vijën mbrojtëse ruse në rajonin jugor të Khersonit tash e një muaj.