Ushtria ruse ka braktisur qendrën bërthamore të Chernobylit të premten, duke kthyer kontrollin tek ukrainasit.
Kthimi i kontrollit të Chernobylit është bërë në ditën kur disa pjesë lindore të Ukrainës janë bombarduar teksa kanë pritur ndihmat me ushqim dhe ilaçe.
Kompania shtetërore e energjisë bërthamore në Ukrainë, ka thënë se ushtria ruse është tërhequr nga Chernobyli pasi disa ushtarë i janë ekspozuar rrezatimit të madh teksa kanë çelur istikamet.
Ukraina besohet se ka sulmuar territorin rus, ani pse këtë nuk kanë mundur ta konfirmojnë mediat ndërkombëtare. Autoritetet në qytetin rus Belgorod kanë akuzuar Ukrainën për sulmin e depove të naftës.
Depoja, pronë e gjigantit rus të energjisë, Rosneft, ndodhet 35 kilometra në veri të kufirit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ukraina besohet se këtë depo e ka sulmuar me disa helikopterë.
Shteti i prirë nga presidenti Volodymyr Zelensky, gjithashtu ka vazhduar kundërsulmet në lindje dhe verilindje të Kievit.
Edhe
Punëtorët në Chernobyl tregojnë si ua vodhën karburantin rusëve për ta parandaluar katastrofën
Ndërkaq, ushtria ruse ka bombarduar qytetin Chernihiv dhe periferinë e Kievit. Sulmet kanë vazhduar ani pse udhëheqësit ushtarakë të Rusisë kanë thënë se është reduktuar aktiviteti ushtarak në këto zona.
Zyrtarët perëndimorë kanë thënë se Rusia është duke përdorur bisedimet paqësore në Ukrainë si mbulim të aktivitetit të rigrupimit ushtarak dhe zhvendosjen e ushtrisë në pjesën lindore të shtetit, në të cilën ndodhet rajoni i Donbasit.
Edhe presidenti Zelensky ka tërhequr vërejtjen se tërheqjet janë taktikë ushtarake për sulmet e reja në juglindje të Ukrainës.