Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

UNOSAT: 35% e ndërtesave në Gaza janë shkatërruar nga lufta

Imazhet satelitore të analizuara nga Qendra Satelitore e OKB-së (UNOSAT) tregojnë se 35% e ndërtesave në Rripin e Gazës janë shkatërruar ose dëmtuar, prej që ka nisur lufta Izrael-Hamas, raporton Reuters.

Në vlerësimin e saj, UNOSAT ka përdorur pamje me rezolucion të lartë të mbledhura më 29 shkurt, dhe i ka krahasuar ato me pamjet e bëra para dhe pas fillimit të konfliktit të fundit. UNOSAT ka gjetur se 35% e të gjitha ndërtesave në Gaza, apo 88,868 ndërtesa, janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht.

Kjo paraqet një rritje të përafërsisht 20,000 ndërtesave të dëmtuara, krahasuar me vlerësimin e mëparshëm të bërë, bazuar në pamjet e marra në janar, që tregonin se 30% e të gjitha ndërtesave janë shkatërruar, ka thënë UNOSAT.

“Komunat e Khan Younisit dhe Gazës janë përballur me rritjen më të madhe të shkatërrimit. Në Khan Younis ka pasur 12,279 dhe Gaza ka pasur 2,010 më shumë ndërtesa të shkatërruara”, ka thënë UNOSAT-i.