Rob Bauer, kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, dha alarmin për shterimin e rezervave. Me luftën që ka të ngjarë të vazhdojë gjatë dimrit që po vjen, Bauer i kërkoi industrisë së mbrojtjes të rrisë prodhimin “me ritëm shumë më të lartë. Dhe ne kemi nevojë për vëllime të mëdha”, ka theksuar ai në Forumin e Sigurisë në Varshavë
(AP) - Mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar 31 dronë ukrainas gjatë sulmit të organizuar të mërkurën pas mesnatës nga forcat e Kievit në rajonet kufitare. Pasiguria është rritur në lidhje me qasjen që do ta ketë Ukraina në të ardhmen, pasi po i soset armatimi që ia dhuruan aleatët e saj perëndimorë.
Sulmi me dronë duket të jetë sulmi më i madh i vetëm ndërkufitar i Kievit me dronë i raportuar nga Moska që kur nisi pushtimin e saj 20 muaj më parë. Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme apo viktima.
Ukraina ka vazhduar kundërofensivën e ngadaltë që filloi tre muaj më parë për të kthyer kontrollin në territoret e pushtuara nga forcat ruse, ani pse ka shqetësime për furnizimin e rezervave ushtarake dhe çarjet në murin perëndimor të mbështetjes krijojnë mjegull në përpjekjet e saj për kthimin e kontrollit.
Rob Bauer, kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, dha alarmin për shterimin e rezervave. Me luftën që ka të ngjarë të vazhdojë gjatë dimrit që po vjen, Bauer i kërkoi industrisë së mbrojtjes të rrisë prodhimin “me ritëm shumë më të lartë. Dhe ne kemi nevojë për vëllime të mëdha”, ka theksuar ai në Forumin e Sigurisë në Varshavë.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk dha asnjë provë për pretendimet e saj për përgjimin e dronëve ukrainas dhe as ndonjë detaj për ndonjë dëmtim apo viktima.
Ajo ka njoftuar gjithashtu se avionët rusë penguan një përpjekje ukrainase për të vendosur një grup ushtarësh nga deti në anën perëndimore të Krimesë të aneksuar nga Rusia. Forca u përpoq të zbarkonte në Kepin Tarkhankut, në skajin perëndimor të Krimesë, duke përdorur një varkë me shpejtësi të lartë dhe tre motorë uji, thuhet nga ministria.
Gadishulli i Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014, ka qenë objektiv i shpeshtë i sulmeve ukrainase. Rajoni ka qenë qendra kryesore që e ka mbështetur pushtimin.
Paralajmërimi i ashpër i Bauerit për shterimin e rezervave të armëve shton shqetësimet për furnizimin e forcave të armatosura të Ukrainës, i cili është thelluar mes trazirave politike në Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimit të pashembullt dhe dramatik të martën të kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.
SHBA-ja është deri tani furnizuesja më e madhe ushtarake e Ukrainës, por një fraksion në shumicën republikane të Dhomës së Përfaqësuesve dhe shumë votues të republikanëve, kundërshtojnë dërgimin e më shumë ndihmave ushtarake në Ukrainë.
Pentagoni ka paralajmëruar Kongresin se po i mbarojnë paratë për të zëvendësuar armët që SHBA-ja i ka dërguar Ukrainës.
Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, vuri në dyshim publikisht motivet e asaj që ai i quajti “elita konservatore perëndimore”.
Shqetësimet e financimit e shtynë presidentin e SHBA-së, Joe Biden, të zhvillojë një telefonatë me aleatët kryesorë në Evropë, si dhe udhëheqësit e Kanadasë dhe Japonisë, për ta koordinuar mbështetjen për Ukrainën.
Thirrja u mbajt tri ditë pasi Bideni nënshkroi legjislacionin e dërguar me ngut nga Kongresi që mbante të financuar Qeverinë federale, por lanë miliarda fonde për përpjekjet e luftës të Ukrainës që Shtëpia e Bardhë e kishte mbështetur fuqishëm.
Ndërkohë të mërkurën sirenat u ndezën në të gjithë Rusinë dhe stacioni televiziv ndërpreu për pak kohë transmetimet e rregullta për të transmetuar paralajmërimet e urgjencës si pjesë e stërvitjeve mbarëkombëtare që filluan një ditë më parë për të testuar gatishmërinë e agjencive të urgjencës të vendit.
Përktheu: Blerta Haxhiu