Për shumë njerëz, kalimi nga rusishtja në gjuhën ukrainase është një akt rezistence pasi lufta vazhdon të shkatërrojë jetën e qytetarëve dhe qytete të tëra. Në të gjithë Ukrainën, raportet sugjerojnë se shumë nga afërsisht 20 për qind e ukrainasve që u identifikuan si rusishtfolës në mars 2022, po zgjedhin në mënyrë aktive të distancohen nga gjuha e agresorit të tyre
(AJ) - Oleksandr Zahalskyy e kaloi pjesën më të madhe të jetës duke folur vetëm rusisht.
I lindur në vitin 1960 në atë që atëherë ishte Bashkimi Sovjetik, Zahalskyy vjen nga qyteti ukrainas, Kherson, kryesisht rusishtfolës.
Tani, në moshën 63-vjeçare dhe që po jeton në kryeqytetin Kiev, Zahalskyy dhe gruaja e tij Natasha janë në mes të transicionit të vështirë por vullnetar – duke e bërë gjuhën ukrainase të tyren.
“Në fillim menduam se duhej të dinim gjuhën tonë kombëtare, por me fillimin e kësaj lufte të gjerë, ndjenja ndryshoi nga 'duhet' në 'dua'", tha Zahalskyy për “Al-Jazeeran” me telefon.
Pushtimi i Rusisë i nisur më 24 shkurt të vitit të kaluar, i cili filloi luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945, shihet nga shumë ukrainas si një përpjekje për t'i zhdukur ata – dhe kulturën, gjuhën dhe mënyrën e tyre të jetesës.
Edhe
Rrëfimet e grave ukrainase për dhunën seksuale nga ushtarët rusë
Simbol rezistence
Dhe kalimi në gjuhën ukrainase është një mënyrë për të luftuar.
"U bë një simbol i rezistencës sonë kundër agresionit rus", tha Viktoriia Tarasuik, një 25-vjeçare e lindur dhe e rritur në Kiev, e cila u rrit duke folur rusisht dhe gjithashtu ka bërë ndryshimin gjuhësor.
“Është diçka që ata u përpoqën të më thonë se nuk duhet të ekzistojë; ata donin ta shtypnin, por nuk mundën”.
Në të gjithë Ukrainën, raportet sugjerojnë se shumë nga afërsisht 20 përqind e ukrainasve që u identifikuan si rusishtfolës në mars 2022, po zgjedhin në mënyrë aktive të distancohen nga gjuha e agresorit të tyre.
"Një ndryshim shumë serioz ka ndodhur në ndërgjegjen e shumë njerëzve", tha Zahalskyy, një pronar që dikur kishte një biznes farmacie. “Të gjithë bashkëmoshatarët tanë në këtë kompleks apartamentesh janë të gjithë mbi 60 vjeç. Këta janë njerëz që kaluan të paktën 60 vjet të jetës së tyre duke folur rusisht. Ata studiuan në Bashkimin Sovjetik, në shkolla rusishtfolëse, mbaruan universitetin në gjuhën ruse dhe tani ne të gjithë po kalojmë në gjuhën ukrainase.
Mst: Hendeku i madh
"Ne jemi interesuar gjithashtu për historinë e Ukrainës, kulturën ukrainase ... më parë, kishte një hendek të madh", tha ai.
Jashtë shtëpisë, Oleksandr dhe Natasha përpiqen të flasin në gjuhën ukrainase, por kur dera mbyllet pas tyre, është ende e vështirë t'i përmbahen asaj.
Natasha ka ndjekur kurse ukrainase në internet. Por edhe pse e dinë gjuhën, sfida qëndron në ndryshimin e makinacioneve të tyre të brendshme, mënyrën se si ata mendojnë, thanë Zahalskyy.
Në ditët e para të luftës, blloku i tyre i apartamenteve u godit dy herë nga zjarri i artilerisë nga qyteti aty pranë Bucha, ku rusët akuzohen për shumë mizori.
“Në vitin 2022, i gjithë vendi dëshmoi luftën dhe të gjitha krimet që rusët kryen. Kjo i bëri njerëzit të rimendonin se çfarë gjuhe donin të flisnin dhe fillova të dëgjoja gjuhën ukrainase fjalë për fjalë kudo”, tha Tarasiuk, stiliste e cila duhej të ndalonte karrierën e saj për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të shkaktuara nga sulmet ruse.
“E njihja mirë gjuhën ukrainase, por gjëja më e vështirë ishte të ndaloja së menduari në rusisht. M’u desh pak kohë që të filloja të flisja natyrshëm pa ndier asnjë presion”.
Për momentin, nuk është e qartë se sa ukrainas që flasin rusisht kanë ndryshuar, por Dominique Arel, profesor i asociuar i shkencave politike dhe kryetar i studimeve ukrainase në Universitetin e Otavës, tha se trendi "u përshpejtua shumë" pas fillimit të luftës.
Efekti traumatik
Pushtimi i Rusisë ishte veçanërisht traumatik për ukrainasit lindorë, tha Arel, sepse kjo "luftë e tmerrshme agresioni zhvillohet kryesisht në lindje".
Shumica e qyteteve që janë kthyer në gërmadha, si Mariupol, Severodonetsk, Mykolaiv dhe Bakhmut, ishin kryesisht rusishtfolës, tha Arel.
"Rusia po bombardon Ukrainën lindore, popullatën që pretendohet se presidenti Vladimir Putin kërkon të mbrojë", tha ai.
Tranzicioni në gjuhën ukrainase filloi për disa në vitin 2014, kur Moska aneksoi Krimenë dhe udhëhoqi forcat në rajonin e Donbasit, i cili kufizohet me Rusinë.
Moska thotë se popullsia rusishtfolëse atje po persekutohej nga Ukraina, një pretendim i mohuar nga Kievi, si dhe shumë ukrainas rusishtfolës nga Donbasi.
Pas ngjarjeve të vitit 2014, disa studentë lindorë u shpërngulën në Kiev dhe filluan të mësojnë gjuhën ukrainase, sepse nuk donin të shoqëroheshin me "asgjë ruse më", tha Tarasiuk, që takoi disa vendas të Donbasit në universitet.
“Pasi dëgjova historitë e tyre, vendosa të ndaloj së foluri rusisht. Tani, kur sheh ose dëgjon "propagandën ruse", Tarasiuk turpërohet.
"Ndoshta është PTSD, por ne reagojmë negativisht ndaj mediave në rusisht", shtoi Tarasiuk.
Edhe pse shumë si Tarasiuk mund të dridhen kur dëgjojnë rusisht, shpesh mbizotëron një ndjenjë mirëkuptimi.
Sprovat e ndryshimit
Ferlain, e cila i kërkoi “Al-Jazeeras” të përdorte vetëm emrin, flet gjuhën ukrainase si gjuhën e saj të parë. Përkthyese profesioniste, ajo tani punon si ndërlidhëse kulturore dhe gjuhësore për brigadën Rubizh, pjesë e forcave të armatosura kombëtare të angazhuara në luftime rreth Bakhmutit. Ajo tha se shumë ushtarë me të cilët punon, të cilët flisnin rusisht përpara pushtimit, po vazhdojnë ta bëjnë këtë.
"Ata mendojnë më shpejt në gjuhën ruse", tha ajo. “Ata i marrin vendimet më shpejt. Është e tepërt që aktiviteti i trurit të vazhdojë të luftojë dhe të ndryshojë mënyrën se si mendoni, kështu që ata njerëz kanë vendosur të ndryshojnë mënyrën e të folurit vetëm pas luftës”.
Trupat e tjera mund të vazhdojnë të flasin rusisht për të zotëruar gjuhën e armikut, veçanërisht nëse ata janë duke punuar në zbulim, tha Ferlain. Por shoqëria ukrainase më gjerësisht, tha Ferlain, po bën ndryshimin "vetëm për të respektuar kombin".
“Kjo është një luftë ekzistenciale dhe gjuha është pjesë e identitetit”, tha ajo.
Edhe
“Pyesja veten nëse do të isha frikacak”: 5 burra ukrainas tregojnë si i ka ndryshuar lufta
A mendon ajo se gjuha ruse do të zhduket përfundimisht në Ukrainë? "Po. Unë thjesht nuk shoh ndonjë rrugë tjetër. Do të jetë një ndryshim brezash, por do të ndodhë përfundimisht”.
Tarasuik nuk pajtohet, por thotë se Rusia ka ndryshuar pa dashje "dekada të rusifikimit".
Historia e gjuhës në Ukrainë
Për shkak se kultura ruse dominonte në ditët e Perandorisë Ruse dhe Bashkimit Sovjetik, shumica e ukrainasve mund të flasin rusisht.
"Nuk ka asgjë të natyrshme në mënyrën se si zhvillohet një gjuhë", tha Arel për Al-Jazeeran. “Është gjithmonë një projekt shtetëror”.
Kur Bashkimi Sovjetik u shemb në vitin 1991, jo të gjithë ata që flisnin rusisht ishin etnikisht rusë; për disa ukrainas dhe popullata të tjera të pakicave si tatarët e Krimesë, rusishtja ishte gjithashtu gjuha e parë.
Për shembull, në vitin 1989, ndërsa rreth 40 për qind e popullsisë së Donbasit identifikohej si etnikisht ruse, më shumë se 60 për qind e konsideronin rusishten si "gjuhën e tyre amtare".
“Një gjuhë tenton të dalë politikisht si gjuha e modernitetit. Një gjuhë identifikohet si gjuha e mundësive, gjuha e lëvizshmërisë lart”, tha Arel. "Me rusishten, ata përdorën shprehjen në atë kohë në Bashkimin Sovjetik se është gjuha që hap perspektivat e jetës, ose një gjuhë perspektive".
“Pra, projekti për ta bërë gjuhën ukrainase gjuhën shtetërore, i cili filloi me pavarësinë, ishte projekti për ta bërë gjuhën ukrainase të rëndësishme”.
Ukrainishtja u sanksionua si gjuha e vetme kombëtare në kushtetutë në vitin 1991, viti kur Ukraina u bë e pavarur, por ligji nuk u zbatua dhe nuk ndryshoi jetën e përditshme.
“Të gjithë vazhduan të flisnin rusisht, të gjithë vazhduan të shikonin televizionin rus, me përjashtim ndoshta të rajoneve perëndimore të Ukrainës”, tha Zahalskyy për “Al-Jazeeran”.
Në vitin 2019, Kievi miratoi një ligj për të garantuar gjuhën ukrainase si gjuhë shtetërore, i cili kërkonte që ukrainishtja të përdorej në shumicën e aspekteve të jetës publike.
Por përsëri, të intervistuarit nga “Al-Jazeera” thanë se kishte pak rregulla strikte.
Format zyrtare si ato në zyrat e mjekëve, veçanërisht në zonat rusishtfolëse, vinin kryesisht në rusisht dhe në ukrainisht. Folësit rusisht mund të kërkojnë gjithashtu versione ruse të dokumenteve të tjera, të tilla si certifikatat e martesës.
Por, tha Arel, legjislacioni preku arsimin pasi ai "eleminon në thelb" gjuhën ruse nga shkollat e mesme.
“Rusishtja mund të mësohet vetëm si gjuhë e parë në shkollën fillore, dhe kaq”, tha ai.
Por ai dyshon se masa është shumë përçarëse sepse prindërit në rajonet lindore dhe jugore të Ukrainës "duan t'i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën ukrainase gjithsesi".
Kur bëhet fjalë për komunikimin e përditshëm, rusishtja mbetet - edhe në mes të luftës - një nga dy gjuhët kryesore të Ukrainës.
“Nëse do të shkoni në Lviv tani, konsideruar zemra e pjesës ukrainase të vendit … dhe do të hyni në një kafene atje dhe do të filloni të flisnit në rusisht, kamarieri ose kamarierja do të ndryshojnë në të folur me ju në rusisht”, tha Zahalskyy.
Shumica e ukrainasve mund të flasin rusisht dhe shumë flasin atë që është emërtuar "Surzhyk" - një përzierje e rusishtes dhe ukrainishtes - në mënyrë që të matet se kush flet çfarë është sfiduese.
Akuzat ruse
Sipas regjistrimit të parë të kryer në Ukrainë në vitin 2001, rreth 14.3 milionë ukrainas, ose 29 për qind e popullsisë, flisnin rusishten si gjuhë të parë.
Pas vitit 2022, numri i atyre që identifikohen si rusishtfolës ka të ngjarë të jetë ulur.
Moska i përshkruan politikat gjuhësore të Kievit si shtypëse, pasi zyrtarët rusë pretendojnë se po “çlirojnë” rusishtfolësit nga projekti ukrainas.
Dhe në territoret që Moska ka pushtuar që nga viti 2014, ajo ka lëvizur me shpejtësi për të rivendosur përparësinë e kulturës dhe gjuhës ruse.
Në mars, Zëri i Ri i Ukrainës raportoi se në qytetin e pushtuar të Mariupolit, "autoritetet" e instaluara nga Rusia po shtypnin gjuhën ukrainase në shkolla.
Rusia njoftoi plane të ngjashme për rajonet e tjera që ajo kontrollon, megjithëse disa nga propozimet, si futja e monedhës ruse rubla në rajonin Kherson, janë në fluks.
Nga fundi i vitit 2022, forcat ukrainase pushtuan qytetin e Khersonit, ndërsa pjesa më e madhe e pjesës tjetër të rajonit mbeti në duart e rusëve.
Sipas Arelit, çdo identifikim me kulturën ruse, duke përfshirë gjuhën ruse, është "i paqëndrueshëm tani".
Edhe
Nëna, luftëtare, aktiviste: gratë e brezit të mijëvjeçarit që po e mbajnë Ukrainën
“Edhe shumë autorë që kanë shkruar librat e tyre në rusisht ose këngëtarë apo poetë që kanë shkruar në rusisht, kanë vendosur të ndalojnë përhapjen e gjuhës së agresorit”, shtoi Ferlain. "Dhe është e vështirë për ta, por ata e kuptojnë rëndësinë e zgjedhjes së tyre”.