Gjatë kësaj jave Evropa është shqetësuar nga luftimet afër centralit qendrës bërthamor të Zaporizhzhias në Ukrainë. Më të frikësuar janë banorët e zonës që i druhen katastrofës bërthamore që mund të shfarosë gjithçka.
(AP) - Pothuajse çdo ditë banorët e Zoryas, fshat i vogël rreth 20 kilometra larg Qendrës Bërthamore të Zaporizhzhias, dëgjojnë zhurmën e shpërthimeve që ndodhin jo më larg se 10 kilometra nga shtëpitë e tyre.
Mirëpo, ata nuk i frikëson zhurma e bombave, por rreziku i rrjedhjes nga qendra që mund të ketë pasoja të tmerrshme për ata që jetojnë në këtë rajon të Ukrainës.
“Bombat nuk janë të frikshme, sepse shpërthejnë dhe gjithçka kthehet në normale, por qendra bërthamore na frikëson”, thotë Natalia Stokoz, nënë e tre fëmijëve që jeton në fshatin tani me 400 banorë prej 1 mijë sa kishte para se të niste lufta.
Stokoz mbetet e informuar nga mesazhet që merr nga të afërmit dhe lajmet që qarkullojnë nëpër rrjetet sociale.
Thotë se çdo ditë përpiqet t’i qetësojë fëmijët kur shpërthimet janë të mëdha, por shpesh e ka të vështirë të mos e ndiejë frikën.
Edhe
Lindje nën tokë, nën bombardime: Të sjellësh në jetë një fëmijë në Ukrainë
Ajo është shumë e shqetësuar me atë që mund të ndodhë në qendrën bërthamore. Thotë se në rast shpërthimi apo rrjedhje të gazit, do ta pësojnë të gjithë në fshat.
Të njëjtin shqetësim ka edhe Oleksandr Pasko, 31-vjeçar, fqinj i Stokozit.
Bashkëshortja dhe e bija 6-vjeçare kanë ikur në Poloni në muajin mars kur nisi lufta.
Ai së bashku me bujqit e tjerë kanë përfunduar sezonin e korrjeve, por thotë se rreziku i punës në ara ishte shumë i madh. Shpesh kanë parë raketat duke u fluturuar mbi kokë.
Pasko bën të ditur se bombardimet ruse janë intensifikuar në javët e fundit.
Si masë mbrojtëse, autoritetet ukrainase kanë shpërndarë jod dhe maska për banorët e qytetit të Zaporizhzhias.
Edhe
Sulmi në Moskë ua sjell rusëve luftën në shtëpi
Luftimet afër qendrës bërthamore të qytetit janë ashpërsuar të premten e kësaj jave. Ekspertët e Kombeve të Bashkuara që vizituan këtë qendër janë shprehur të shqetësuar për gjendjen e saj.
Përreth është përhapur paniku se luftimet mund të shpien te katastrofa bërthamore.
Zyrtarët e përkrahur nga Kremlini kanë bërë të ditur të enjten se reaktori që nuk punonte është kthyer në funksion.
Ukraina ka akuzuar Rusinë se po përdor qendrën bërthamore për t’i mbrojtur sulmet me raketa.
Ekipi inspektues i Kombeve të Bashkuara ka arritur në qendrën bërthamore të Zaporizhzhias në Ukrainë me mision për ta ruajtur nga katastrofa. Ekipi ka arritur të enjten në kohën e luftimeve mes forcave ruse dhe ukrainase që kanë detyruar ndaljen e një prej reaktorëve të qendrës bërthamore.
Edhe
Ukraina akuzon Rusinë për dronë dhe raketa afër centralit bërthamor të Çernobilit
Rafael Grossi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, ka thënë se ekipi ka kompletuar inspektimin e parë dhe do të vendosë prezencë të vazhdueshme në qendrën bërthamore.
Delegacioni prej 14-anëtarësh ka arritur në qendër pas disa muajsh bisedime për të kaluar vijën e fronit dhe ta inspektojë qendrën më të madhe bërthamore në Evropë.