Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

OKB: Bombardimet afër centralit bërthamor të Zaporizhzhias po e rritin rrezikun

Monitoruesit e Kombeve të Bashkuara do të lëshojnë një raport për centralin bërthamor në Zaporizhzhia të martën, pas bombardimeve të cilat ndërprenë furnizimin elektrik për herë të dytë në dy javë, duke rritur frikën për një katastrofë.

Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën se po rrezikojnë të shkaktojnë një katastrofë duke bombarduar afër centralit bërthamor, derisa zyrtarët kanë bërë të ditur se janë shkëputur linjat elektrike të hënën, duke e lënë centralin jashtë funksionit, shkruan të martën Reuters.

Shqetësimi për termocentralin erdhi derisa forcat ukrainase shtypën kundërsulmet e tyre në jug dhe lindje, duke ngritur flamurin kombëtar mbi një qytet në provincën e Khersonit, një rajon jugor i pushtuar nga Rusia që në ditët e para të luftës.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), duke cituar informacionin e dhënë nga Ukraina, tha se linja e energjisë rezervë e termocentralit ishte ndërprerë për të shuar zjarrin, por se vetë linja nuk ishte dëmtuar dhe do të rilidhej.

Mbikëqyrësit e OKB-së kanë thënë se centrali ka mjaftueshëm energji për të funksionuar për nevojat e brendshme.

Edhe Termocentrali bërthamor në Zaporizhzhia ngel pa rrymë Botë Termocentrali bërthamor në Zaporizhzhia ngel pa rrymë

Prania e IAEA-s në uzinë u reduktua në dy anëtarë të stafit nga gjashtë sa ishin të hënën. Shefi i IAEA-s Rafael Grossi, do të nxjerrë një raport mbi Ukrainën, duke përfshirë centralin dhe më pas do të informojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tha IAEA.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi të hënën për një “katastrofë të rrezatimit” dhe tha se granatimet treguan se Rusisë “nuk i intereson se çfarë do të thotë IAEA”.