Ukrainasit që u larguan nga shtëpitë e tyre për t'i shpëtuar pushtimit rus kanë marrë trajtim më të mirë se ata të zhvendosur nga luftërat dhe emergjencat e tjera në vazhdim, ka thënë të enjten grupi më i lartë evropian për të drejtat e njeriut, duke u bërë thirrje vendeve anëtare që të mbështesin të gjithë në mënyrë të barabartë.
Në raportin e tij vjetor, komisioni kundër racizmit i Këshillit të Evropës (ECRI) ka thënë se janë bërë "përpjekje të admirueshme" për të mbështetur ukrainasit që nga fillimi i luftës, në shkurt të vitit 2022.
Por sipas komisionit, trajtimi i njerëzve nga Ukraina kishte ndryshuar në varësi të përkatësisë së tyre etnike.
Për shembull, kushtet e akomodimit të ofruara për romët me nënshtetësi ukrainase ishin më cilësore se ato që u ofroheshin ukrainasve të tjerë në të njëjtën situatë, sipas ECRI-së, raporton Reuters.
Menjëherë pas fillimit të luftës, Bashkimi Afrikan ka deklaruar se ishte i shqetësuar nga raportimet që qytetarëve afrikanë në Ukrainë u ishte refuzuar e drejta për të kaluar kufijtë.
Dallime të rëndësishme janë vërejtur gjithashtu midis cilësisë së qendrave të pritjes dhe shërbimeve të ofruara për ukrainasit, në krahasim me refugjatët dhe azilkërkuesit nga vende të tjera, shtoi ECRI-ja.
"Normaliteti i ri duhet të jetë të mirëpresim të gjithë njerëzit nga kudo ashtu si u mirëpritën ukrainasit”, ka thënë në një konferencë shtypi Johan Friestedt, sekretari ekzekutiv i ECRI-së.
I pyetur nëse kishte më shumë solidaritet ndaj ukrainasve sepse shumica ishin të bardhë, kryetari i ECRI-së Bertil Cottier ka thënë se "kur njerëzit janë pak a shumë si ju, është gjithmonë më e lehtë”.
ECRI-ja ka thënë se të gjithë personave të zhvendosur, pavarësisht nga kombësia, ngjyra e lëkurës apo feja e tyre, duhet t'u ofrohet mbrojtje dhe mbështetje e duhur.
Sipas ECRI-së, janë raportuar edhe incidente të urrejtjes anti-ukrainase, por në përgjithësi, diskursi publik mbeti i solidaritetit dhe mbështetjes, derisa narrativat armiqësore, përfshirë nga politikanët, ishin më të përhapura kundër njerëzve nga pjesë të tjera të botës.
Rreth 6 milionë ukrainas janë të zhvendosur në të gjithë Evropën.
Raporti thotë gjithashtu se numri i incidenteve të urrejtjes kundër myslimanëve është rritur pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në 7 tetor ndaj Izraelit.
Disa vende evropiane kanë përjetuar gjithashtu një rritje të antisemitizmit, nga gjuha e urrejtjes, duke përfshirë kërcënimet me vdekje, dhe aktet e vandalizmit të vendeve hebraike, e deri te sulmet fizike kundër hebrenjve.
LEXO EDHE: