Një person i armatosur në Ukrainë po mban peng 20 veta në një autobus në qytetin Lutsk, kanë njoftuar autoritetet ukrainase, shkruan BBC.
Ka pasur të shtëna armësh, ka njoftuar policia, por nuk ka raporte për viktima momentalisht. Kërkesat e personit të armatosur nuk janë bërë të qarta.
Zëvendës-ministri i Brendshëm, Anton Herashchenko, ka treguar se personi u ka thënë se ka bombë.
“Policia ka nisur një operacion të veçantë. Negociatat kanë filluar”, ka shkruar Herashchenko në Facebook.
Njësiti anti-terrorizëm ka rrethuar autobusin. Banorëve në afërsi i është thënë të mos largohen nga shtëpitë apo zyrat.
Zëdhënësi i Policisë së Ukrainës, Yurii Kroshko, ka thënë se është ende e paqartë se çfarë po kërkon personi.
Edhe
Putini akuzon Ukrainën për “sulm terrorist”
“Ne po mundohemi të negociojmë, po e telefonojmë atë. Ai i është përgjigjur telefonatës më herët, por nuk është përgjigjur në tentimet tona të fundit”, ka thënë Kroshko.
Mediumet ukrainase kanë shpërndarë atë që duket se është llogaria e Twitterit e personit që po mban pengjet. Ai në të ka postuar kritika ndaj figurave politike. Mirëpo, zëdhënësi i policisë ka thënë se në postime nuk ka ndonjë kërkesë të qartë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se po e përcjellë nga afër situatën. “Po bëhet çdo angazhim për të zgjidhur situatën pa viktima”, ka thënë ai.