Autoritetet e Ukrainës kanë bërë të ditur të mërkurën se bombardimet në Chernihiv dhe në rrethinë të Kievit kanë vazhduar edhe gjatë ditës së mërkurë, pavarësisht se të martën, Rusia deklaroi se do të zvogëlojë në mënyrë drastike operacionet ushtarake në këto pjesë.
Kjo deklaratë e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, kishte ardhur pak minuta pas përfundimit të bisedimeve tri-orëshe që u zhvilluan në Stamboll ndërmjet rusëve dhe ukrainasve, me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, raportoi Sky News.
Mirëpo tani, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës ka deklaruar se nuk kanë parë tërheqje masive të trupave ruse as nga Chernihivi dhe as nga rrethina e Kievit.
Ukraina dhe Perëndimi kanë qenë të rezervuara sa u përket deklaratave të Rusisë gjatë ditës së martë pas përfundimit të bisedimeve, duke thënë se do të besonin në ato që thotë ky shtet vetëm kur gjërat do të ndodhnin me të vërtetë.