Autoritetet ukrainase kanë rikthyer në shtëpi trupat e 1,212 ushtarëve të vrarë në luftë me Rusinë, kanë bërë të ditur zyrtarë të Kievit për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Si rezultat i aktiviteteve të riatdhesimit...trupat e 1,212 ushtarëve të rënë janë kthyer në Ukrainë”, ka njoftuar Komiteti për Koordinimin e shkëmbimit të të burgosurve në rrjetin social Telegram.
Kievi dhe Moska patën arritur marrëveshje në kuadër të rundit të fundit të bisedimeve ndërmjet tyre, për të këmbyer në shkallë të gjerë trupat e pajetë të ushtarëve, ndonëse marrëveshja kishte ngecur përkohësisht mbi hapat e zbatimit.
Më 2 qershor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte deklaruar se Rusia donte të transferonte 6,000 trupa në Ukrainë, porse vetëm 15 përqindëshi i tyre ishte identifikuar.
Të 1,212 trupat tashmë do t’u dërgohen ekspertëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, agjencive ligjore dhe Ministrisë së Shëndetësisë që do të përpiqen të zbulojnë identitetet e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur.
Të hënën, Rusia dhe Ukraina shkëmbyen të burgosurit e luftës nën moshën 25-vjeçare, që po konsiderohet si hapi i parë në një seri të planifikuar shkëmbimesh mes të burgosurve.
Në anën tjetër, luftimet ende po vazhdojnë teksa zyrtarët rusë njoftuan disa ditë më parë se forcat ushtarake kanë marrë nën kontroll më shumë pjesë të territorit ukrainas në rajonin lindor të Dnipropetrovskut.