Tamila Tasheva, përfaqësuese e Ukrainës për Krimenë, deklaroi se ushtria ruse ka nisur bastisjet në Krime dhe po i mobilizon banorët meshkuj për luftë, raportoi BBC-ja.
Ajo tha të enjten se bastisjet po kryhen nëpër institucione shkollore, në shtëpi, tregje, vende pune dhe “kudo që njerëzit mblidhen”.
Sipas Tashevas, Rusia po i grumbullon të gjithë meshkujt mbi moshën 18-vjeçare, derisa tha se për pak kohë, në fshatin Zuya, 100 banorë të Krimesë iu bashkuan trupave ruse.
“Thirrjet po shpërndahen në mënyrë aktive në fshatrat Azovske, Maiske dhe Dobroe. Sipas burimeve tona, deri më tani, të paktën 1000 thirrje janë dorëzuar në tërë Krimenë. Po shohim se ky është akt demonstrues i ndëshkimit të banorëve nga ana e Kremlinit”, shtoi Tasheva.
Ajo shtoi se situata në Krime është e tmerrshme, pasi “vdekja e burrave do t’i prekë edhe brezat e ardhshëm”.
Kur nisi ofensiva ukrainase mbi trupat ruse, presidenti Zelensky deklaroi se trupat e tij do të shkojnë gjer në Krime, për ta rikthyer token e okupuar nga Rusia në vitin 2014.