Zyra mobile e rekrutimit për ushtrinë ruse është hapur në stadiumin e Simferopolit të Krimesë të shtunën.
Ushtarakët në zyrën mobile kanë ofruar broshura, në të cilat tregoheshin detajet për të gjithë të interesuarit që donin t’i bashkoheshin ushtrisë. Për secilin kishte kontrata.
Kapiteni Vitaly Monahkho thotë se të jesh ushtar ende është prestigj në Rusi.
“Sot kemi nisur fushatën për t’i joshur qytetarët që t’i bashkohen shërbimit ushtarak me kontratë. Në këtë moment, prestigji që të jesh ushtarak është ende i lartë në shoqëri. Rreth 20 persona në ditë na kontaktojnë”, ka thënë ai.
Para zyrës në një tavolinë janë ekspozuar armë, me qëllim që njerëzit të pyesin më shumë për fuqinë ushtarake të Rusisë.
Ndërkaq banori i Krimesë, Deniz Zarobovich, thotë se Rusia ka shumë armiq.
“Kanë ardhur kohëra të vështira. Kemi shumë armiq dhe duhet ta mbrojmë veten nga ata”, ka thënë ai.
Banorët mes moshave 18 dhe 60-vjeçare mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e ushtrisë ruse.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka nisur këtë fushatë rekrutimi me synim që të mbledhë 400 mijë ushtarë profesionistë.
Fushata ka nisur për shkak të humbjeve të mëdha që ka pësuar Rusia në frontin e luftës në Ukrainë.
Në muajt e fundit është raportuar se mijëra ushtarë rusë kanë braktisur luftën.