Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, i ka bërë apel të drejtpërdrejtë lidershipit të Rusisë që t’i hapë korridoret e evakuimit nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, raporton CNN.
Në një deklaratë të publikuar në Telegram në gjuhën ruse, Vereshchuk – që është edhe ministre e Ukrainës për riintegrim të territoreve të okupuara përkohësisht – i ka bërë apel ushtrisë dhe lidershipit të Federatës Ruse në lidhje me situatën në Mariupol.
Ajo ka kërkuar të hapet një korridor nga Mariupoli për në Berdiansk për civilët dhe një korridor urgjent nga territori i fabrikës Azovstal në mënyrë që të evakuohen fëmijët, gratë dhe civilët tjerë.
Fabrika e çelikut Azovstal ka qenë bastion rezistence për mbrojtjen ukrainase brenda Mariupolit. Qyteti po vazhdon tash e disa javë të bombardohet.
Vereshchuk ka shtuar se refuzimi rus për të hapur korridoret e evakuimit do të jetë si dëshmi që “gjithë personat e përfshirë në të ardhmen të akuzohen për krime lufte”.
Edhe
Ukraina bën thirrje që civilët dhe ushtarët e plagosur të mund të largohen nga Azovstali
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se mbi 100 mijë persona duhet të evakuohen nga Mariupoli.
Ndërkohë sipas kryetarit të qytetit afro 22 mijë persona kanë vdekur në këtë qytet që kur ka filluar sulmi rus më 24 shkurt.