Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ukraina ekspozon në Kiev makinerinë e djegur të ushtrisë ruse

Një ekspozitë e tankeve dhe e automjeteve të tjera të blinduara ruse është hapur në sheshin qendror të Kievit, në përpjekje për t'ua treguar banorëve të kryeqytetit pasojat e vërteta të luftës që po zhvillohet në rajonet lindore të vendit.

Qytetarët kanë mirëpritur ekspozimin e atyre që i konsiderojnë trofe lufte.

"Sigurisht, ekspozita si kjo duhet të mbahen në mënyrë që çdo ukrainas, madje edhe ata që nuk kanë pasur kurrë rastin të përballen me luftën, të shohin se Ukraina përballet me një problem global, se ne duhet ta mbrojmë atdheun tonë. Edhe nëse armiku është larg, ai mund të afrohet shumë shpejt. Duhet t'i njoftoni njerëzit”, ka thënë Oleksandr, qytetar i Kievit.

Ushtaraku Serhiy Polishchuk tha se duhet t’u tregohet bashkatdhetarëve të tij se ushtria po shkatërron armikun rus. Ai është i bindur se luftëtarët ukrainas do ta çlirojnë mbarë vendin.

"Në përgjithësi menduam se ishte e nevojshme të bënim një memorial të tërë. Aty ku do të ketë shumë tanke për të parë se si është. Mirë, është interesante të shihet se si duket e gjitha dhe vërtet të krijohet përshtypja se ata po godasin caqet, dhe thjesht gjithçka digjet, prishet, domethënë duket qartë se janë qëlluar me armë të fuqishme, prandaj është mbresëlënëse”, ka thënë Sophia, qytetare e Kievit.

Ndërkohë, një gjykatë ukrainase dënoi një ushtar rus 21-vjeçar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një civili ukrainas, në gjykimin e parë për krime lufte që nga pushtimi rus i Ukrainës.

Edhe Emisari rus jep dorëheqjen shkaku i “luftës agresive” Botë Emisari rus jep dorëheqjen shkaku i “luftës agresive”

Vadim Shishimarin u akuzua se kishte qëlluar në kokë një civil ukrainas në një fshat në rajonin verior Sumi në ditët e para të luftës. Ai pranoi fajësinë dhe dëshmoi se e qëlloi burrin pasi u urdhërua ta bënte këtë. Ai i tha gjykatës se një oficer këmbënguli që ukrainasi, i cili po fliste në celularin e tij, mund t'u tregonte me saktësi vendndodhjen e forcave ukrainase.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë thirrje për sanksione më të ashpra kundër Rusisë. Këtë kërkesë e ka shtruar gjatë adresimit virtual në ditën e parë të Forumit Botëror Ekonomik në Davos të Zvicrës, ku po marrin pjesë shefa ekzekutivë korporatash, zyrtarë qeveritarë dhe figura të fuqishme botërore.

Zelenskyy ka kërkuar embargo të plotë ndaj naftës ruse. Lideri ukrainas ka kërkuar gjithashtu që të ndërpritet çdo bashkëpunim tregtar me Rusinë agresore.