Akuzat ndaj Ukrainës se po përgatitet për një sulm me bombë bërthamore kanë vazhduar edhe gjatë së hënës nga qarqet ruse. Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha të hënën se Ukraina është duke “ndërtuar bomba të pista”, derisa u shpreh se kjo situatë duhet të merret seriozisht nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
“Pas bisedave telefonike të djeshme mes ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe kolegëve të tij nga Franca, Britania e Madhe, Turqia, si dhe me kreun e Pentagonit, Austin, ne morëm hapat e nevojshëm për ta ngritur këtë çështje në strukturat ndërkombëtare”, deklaroi Lavrov.
Ai tha se Rusia pret që të reagohet ndaj një “kërcënimi” të tillë.
Të dielën, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i tha homologut të tij francez, Sebastien Lecornu, se situata në Ukrainë po përkeqësohet me shpejtësi dhe po rrëshqet drejt një “përshkallëzimi të pakontrolluar”.
Shoigu akuzoi Ukrainën se po përgatitet për një sulm me “bombë të pistë”, ndonëse nuk ka asnjë argument për këtë. Këtyre akuzave iu reagoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke thënë se Rusia është ajo që po kërcënon me sulm nëpërmjet armëve bërthamore.
“Rusia kudo që shkon, lë pas vdekje dhe rrënoja, varre masive, kampe torture, qytete dhe fshatra të shkatërruara, toka të minuara, infrastrukturë të shkatërruar dhe fatkeqësi natyrore. Dhe nëse dikush mund të përdorë armë bërthamore në pjesën tonë të Evropës, atëherë është vetëm një subjekt”, tha presidenti ukrainas.
Ai u bëri thirrje shteteve perëndimore që të reagojnë ndaj “një tjetër hapi përshkallëzues” të Rusisë në frontet e luftës.
Edhe
SHBA-ja ishte përgatitur për sulm bërthamor rus në Ukrainë më 2022, thonë zyrtarët
“Bota duhet të shohë tani, në mënyrë parandaluese dhe para çdo ‘pisllëku’ të ri të Rusisë”.
Agjencia shtetërore ruse “RIA Novosti”, shkroi të dielën se Ukraina po planifikon “ta shpërthejë një bombë të pistë” në territorin rus.
Mediumi iu referua “burimeve të ndryshme”, pa asnjë konfirmim. Raportimeve iu kundërvu ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, i cili tha se janë gënjeshtra absurde dhe të rrezikshme.