Udhëheqësi i Republikës Demokratike të Kongos, Felix Tshisekedi, i ka çuar në një nivel tjetër sulmet e tij retorike ndaj homologut të Ruandës, Paul Kagame, duke e krahasuar atë me Adolf Hitlerin, shkruan BBC.
Tshisekedi ka thënë se Paul Kagame po sillej si Hitleri dhe shtoi: “Unë premtoj se ai do të përfundojë si Hitleri”.
Tshisekedi, i cili po bën fushatë për rizgjedhje, po i drejtohej një mitingu në Bukavu, afër kufirit të Ruandës.
Ai shpesh e ka akuzuar Ruandën për mbështetjen e rebelëve në lindje të vendit të tij, gjë që ajo gjithmonë e ka mohuar.
Zëdhënësi i qeverisë së Ruandës i përshkroi komentet e presidentit kongolez si “kërcënim me zë të lartë dhe të qartë”.
Me zgjedhjet më pak se dy javë larg, Tshisekedi po përpiqet të fitojë mbështetje për mandatin e dytë. Pavarësisht përpjekjeve për të shuar dhunën, e cila ka përfshirë marrëveshjet e armëpushimit dhe praninë e trupave rajonale dhe të OKB-së, të cilët tani po largohen, pasiguria është ende e përhapur në lindje të vendit.
Një mori grupesh të armatosura kanë shkaktuar kaos, duke përfshirë rebelët M23 të udhëhequr nga Tutsi, të cilët Tshisekedi ka thënë se mbështeten nga Ruanda.
M23 ka pushtuar territorin kongolez duke detyruar qindra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Duke folur të premten mbrëma, Tshisekedi u tha mbështetësve se do t'i thoshte Kagames se “meqenëse donte të sillej si Adolf Hitler duke pasur synime ekspansioniste, unë premtoj se ai do të përfundojë si Adolf Hitler”.