Botë

Turkish Stream, një gazsjellës me forcë simbolike

Ekonomia dhe popullsia turke po rriten me shpejtësi të madhe - dhe bashkë me to edhe kërkesa për energji. Turqia e merr gazin kryesisht nga Rusia. Deri më tani atë e sillte në Turqi nëpërmjet Detit të Zi me anë të gazsjellësit "Blue Stream".

Gjatë viteve të fundit, ky gazsjellës është zgjeruar dhe tani e tutje quhet Turkish Stream: Dy tuba të rinj do ta furnizojnë tani vendin e etur për energji me gati 16 miliardë metra kubikë gaz në vit - kjo pothuajse do t'i dyfishojë kapacitetet.

Të mërkurën, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, e përuruan gazsjellësin e ri me një ceremoni në Stamboll. Një pjesë e madhe e furnizimeve të gazit ka për destinacion tregun turk - një degë e tij është paraparë të furnizojë edhe vendet e BE-së me gaz natyror. "Gazsjellësi do ta përmirësojë sigurinë energjetike në të gjithë Evropën", tha Putini në Stamboll.

Në aktivitet morën pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov. Dega evropiane e gazjellësit do të kalojë nëpërmjet Bullgarisë me destinacion Evropën Jugore dhe Juglindore. Gazi do të kalojë nga Bullgaria e Serbia, nëpërmjet gazsjellësit Balkan Stream, për të vazhduar më tej, në rast nevoje, në Sllovaki, Hungari ose dhe Austri. Borissow tha se punimet për pjesën bullgare të Balkan Stream-it do të përfundojnë qysh në maj të vitit 2020.

Në ceremoninë e Stambollit, veç Putinit dhe Erdoganit, morën pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vurçiq, dhe kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.

Turqia kërkon kësisoj edhe që të përfitojë nga gjeopozita e saj e ekspozuar mes Lindjes dhe Perëndimit dhe të bëhet një qendër e rëndësishme e energjisë. Ndërsa për Moskën, gazsjellësi është një rrugë alternative shtesë për të sjellë gazin në Evropë, duke mos përdorur Ukrainën.

Partneriteti dypalësh midis Moskës dhe Ankarasë po bëhet gjithnjë e më i ngushtë. "Unë jam i bindur se Rusia dhe Turqia do të realizojnë shumë projekte të tjera në të ardhmen", tha Erdogani. Ai foli për një bashkëpunim win/win, pra ku do të ketë vetëm përfitues. "Nuk kemi lejuar që mosmarrëveshjet e së kaluarës të na bllokojnë interesat tona të përbashkëta", tha Erdogani, duke pasur parasysh mosmarrëveshjet aktuale mes dy vendeve/DW.