Bullgaria ka filluar të mërkurën ndërtimin e një gazsjellësi që do ta lidhë me Serbinë, me qëllim që të rrisë sigurinë e furnizimeve në Evropën Juglindore pas pushtimit rus të Ukrainës, raportoi Reuters.
Ndërtimi i kësaj lidhjeje të gazit natyror me Serbinë është bërë si hap i përshpejtuar nga ana e Bullgarisë për të hequr varësinë nga gazi rus.
Tubacioni 170 kilometra i gazit, i cili do të kalojë nga qyteti bullgar i Novi Iskarit në Nish në Serbi, pritet të jetë funksional deri në fund të vitit, ka bërë të ditur ministri bullgar i energjisë, Rossen Hristov.
Siç njoftohet, Bullgaria e cila ka marrë në konsideratë projektin që nga viti 2012, planifikon të ketë gati shtrirjen 62 km në territorin e saj deri në fund të tetorit. Serbia, e cila filloi ndërtimin shkurtin e kaluar, do të ketë gjithashtu pjesën e saj gati deri në vjeshtë.
"Ky projekt i jep mundësi të reja rajonit për diversifikim të vërtetë dhe siguri të furnizimeve", ka thënë presidenti bullgar, Rumen Radev në ceremoninë e hapjes, ku mori pjesë edhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq.
"Ne po marrim qasje të zgjeruar në tregjet evropiane. Serbisë po i ofrohet qasje në burime të reja gazi, që vijnë nga korridori jugor i gazit dhe terminalet për gazin natyror të lëngshëm në Detin Egje", tha ai.
Tubacioni i ri, i financuar pjesërisht me ndihmën e Bashkimit Evropian, do t'i japë Serbisë qasje në furnizimet jo-ruse nga korridori jugor i gazit dhe terminalet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Greqi dhe Turqi.
Tubacioni, i cili do të lejojë gazin të rrjedhë në të dy drejtimet, do të diversifikojë rrugët që lidhin Bullgarinë me rrjetin evropian të gazit.