Bullgaria ka nënshkruar marrëveshje afatgjate me fqinjin e saj Turqinë, qe do t’i japë qasje në terminalet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe rrjetin e furnizimit me gaz në këtë vend, pasi Sofja synon të zëvendësojë furnizimet me energji që dikur siguroheshin nga Rusia, raportoi të martën Al Jazeera.
Kompania shtetërore bullgare e gazit, Bulgargaz dhe kompania turke e transmetimit të gazit, Botas kanë nënshkruar të martën një marrëveshje 13-vjeçare që përcakton se LNG-ja që Bullgaria do ta blejë në tregjet ndërkombëtare do të shkarkohet dhe përpunohet në terminalet turke dhe më pas do të transferohet përmes rrjetit të gazit Botas në Bullgari.
Bullgaria ka qenë pothuajse plotësisht e varur nga gazi rus, por po kërkon alternativa pasi Moska ndërpreu dërgesat në prill prej se Sofja refuzoi të paguante në rubla ruse në vazhdën e pushtimit të Ukrainës.
"Me këtë marrëveshje ne po sigurojmë mundësinë për të blerë gaz nga të gjithë prodhuesit globalë dhe për ta shkarkuar atë në Turqi, gjë që i përshtatet më së miri Bullgarisë", tha ministri i përkohshëm i energjisë i Bullgarisë, Rossen Hristov.
Homologu i tij turk, Fatih Donmez, tha se marrëveshja do ta lejojë Bullgarinë të transportojë rreth 1.5 miliardë metra kub gaz në vit dhe do të ndihmojë në rritjen e sigurisë së furnizimeve në Evropën Juglindore.
Bullgaria aktualisht mbulon rreth një të tretën e nevojave të saj vjetore për gaz duke importuar gaz azerbajxhanas dhe kontrakton tregtarët për ta furnizuar atë me pjesën tjetër përmes Greqisë.
-
Hungaria lë të hapur mundësinë për furnizime shtesë me gazin rus
-
Bullgaria nis ndërtimin e gazsjellësit që do ta lidhë me Serbinë
-
Evropa bën hap kyç ndaj varësisë nga Rusia
-
Polonia ndërpret marrëveshjen 30-vjeçare me Rusinë për furnizim me gaz
-
Bullgaria po e shqyrton mundësinë të ndjekë rrugët ligjore kundër Rusisë