Policia norvegjeze ka thënë se trupi i një fëmije i gjetur në bregdetin e shtetit është i fëmijës 15-muajsh që kishte vdekur në Kanalin Anglez vitin e kaluar, raporton BBC.
Fëmija, emri i të cilit është Artin, vdiq së bashku me katër anëtarë të familjes kur u fundos anija me të cilën po lundronin në tetor.
Familja kurdo-iraniane po tentonte të arrinte në Britani nga Franca.
Familjarët kanë folur për dhembjen dhe konfuzitetin, ndërsa po prisnin të dëgjonin se çfarë i ndodhi Artinit.
Por tash trupi i fëmijës është gjetur dhe do të kthehet në Iran për t’u varrosur.
Në deklaratë të hënën, Policia në Norvegji ka thënë se trupi është gjetur në bregun jug-perëndimor të shtetit në afërsi të Karmoyt në Ditën e Vitit të Ri.
Më pas është marrë ADN-ja dhe u njoftua familja se është Artini.
Anija me të cilën po udhëtonte familja u fundos më 27 tetor. Rasoul Iran-Nejad (35), Shiva Mohammad Panahi (35), Anita (9), Armini (6) vdiqën, ndërsa nuk dihej për fatin e Artinit.
Familja ishte nga qyteti Sardasht në perëndim të Iranit, në afërsi të kufirit me Irakun.
15 emigrantë tjerë ishin dërguar në spital dhe ishin nisur hetimet.