Në SHBA është urdhëruar rikthimi i sistemit me avull për lëshimin e avionëve nga aeroplanmbajtëset, duke u larguar nga sistemi më i avancuar elektromagnetik. Vendimi mund t’i kushtojë SHBA-së miliarda dollarë dhe kërkon më shumë personel për operim e mirëmbajtje
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar Marinën amerikane që të largojë sistemin e avancuar të përdorur për lëshimin e aeroplanëve luftarakë nga aeroplanmbajtësit më të rinj dhe që t’i rikthehet sistemit të vjetër.
Në vend të sistemit që lëviz mekanizmin me energji elektrike dhe magnete, Trumpi synon rikthimin e sistemit që funksionon me avull.
Direktiva e lëshuar të premten, sipas raportimeve, do t’i kushtojë Shteteve të Bashkuara të Amerikës miliarda dollarë dhe do të rikthejë anijet më të avancuara të Marinës Amerikane në sisteme që kërkojnë më shumë operatorë dhe që janë më të vështira për t’u mirëmbajtur.
Sipas udhëzimit, Pentagoni dhe Marina duhet t’ia paraqesin Trumpit planet për të hequr Sistemin Elektromagnetik të Lëshimit të Avionëve (EMALS) për dy muaj.
Trumpi mori vendimin pas disa vjetësh kundërshtimesh publike të sistemit të ri me energji magnetike që i përshpejton avionët nga kuverta e aeroplanmbajtëses.
Edhe
Roli i Trumpit në armëpushimin në Gazë vendimtar, por jo një udhërrëfyes për paqen
Vendimi u mor në një kohë kur ushtria amerikane po përpiqet të sigurojë fonde nga Kongresi për të gjitha pajisjet që dëshiron të blejë, ndërsa Marina po përballet me vështirësi për të siguruar numër të mjaftueshëm marinarësh për anijet e saj.
Trumpi e ka kundërshtuar këtë teknologji prej kohësh. Më 2017, në mandatin e parë si president, Trumpi pati thënë për “Time” se sistemi i ri “nuk është i mirë” dhe “nuk e ka fuqinë e sistemit të vjetër”.
“Rrëmujë e mallkuar”, pati thënë Trumpi atë kohë.
Derisa Trumpi po kërkon të heqë dorë nga teknologjia më e re, transportuesit më të rinj të avionëve kinezë përdorin katapulta elektromagnetike. Edhe Franca ka thënë se planifikon ta përdorë sistemin në transportuesin e saj të ri.
Anija e parë që do t’i përjetojë këto ndryshime është USS “Doris Miller”. Emrat tjerë të famshëm “Gerald R. Ford”, “John F. Kennedy” dhe “Enterprise” s’do të preken tash.
Siç është raportuar, ridizajnimi i një anije për sistemin e vjetër s’do të jetë detyrë e lehtë.
Edhe
Përballja e të ndaluarve të ICE-së në SHBA me mungesë ilaçesh e trajtimesh mjekësore
“General Atomics”, kompania që prodhon EMALS, ka thënë se vendimi për të mos e vazhduar me sistemin në “Doris Miller”, duhet “të rishqyrtohet me kujdes”.
Vendimi i Trumpit për heqjen e sistemit më të ri vë në pah edhe koston që e ka ndryshimi i vazhdueshëm i dizajnit të Marinës. Pos kostos, ndryshimet po sjellin edhe vonesa.
Vendimi u mor teksa Kongresi po e peshon buxhetin dhe projektligjet e nevojshme të financimit që administrata Trump ka thënë se i duhen për ta financuar Pentagonin dhe luftën në Iran. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, muajin e kaluar u shpreh se kostoja e luftës është rritur në 37.5 miliardë dollarë, ndërsa republikanët kanë përgatitur një pako prej 95 miliardë dollarësh për ta financuar ushtrinë, bashkë me prioritete të tjera të Shtëpisë së Bardhë.
Hegsethi ka thënë se financimi shtesë është “injeksion urgjent dhe i domosdoshëm”.
Dhoma e Përfaqësuesve i ka miratuar shpenzimet, por vendimi kalon në Senat për shtator.
Disa prej avantazheve kryesore të sistemit elektromagnetik janë aftësia për të lëshuar avionë me shpejtësi më të madhe dhe lehtësia për mirëmbajtje, që kërkon më pak marinarë dhe përdor më pak hapësirë në anije.
Edhe
Drama familjare: Çka fshihet pas fotografisë së grupit të NATO-s
EMALS në bord e ul numrin e marinarëve që nevojiten për të përdorur sistemin me avull nga më shumë se dhjetë, në vetëm dy.
Kthimi në sistem që kërkon më shumë njerëz për operim ndodh në kohën kur Marina po has në vështirësi të rekrutojë njerëz. Në fillim të vitit, Marina pati rreth 20 mijë vende të lira në të gjithë flotën.