Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka sugjeruar të hënën se mund të shkarkojë ekspertin amerikan për sëmundje infektive, Anthony Faucin, pas zgjedhjeve, pasi ky i fundit e kritikoi për menaxhimin e pandemisë.
Fauci në një intervistë për Washington Post kishte thënë se nuk është situatë e mirë në SHBA, ndërsa kishte paralajmëruar se gjendja do të keqësohej gjatë vjeshtës dhe dimrit. Ai tha se SHBA-ja nuk do të mund të ishte më keq se kaq, ndërsa shtoi se kandidati demokrat për president, Joe Biden, situatën me COVID “po e merr seriozisht nga perspektiva e shëndetit publik” kurse Trumpi “po e shikon nga një perspektivë ndryshe”.
Kur Trumpi mbrojti mënyrën e tij të menaxhimit të pandemisë gjatë fushatës, turma u dëgjua të thoshte “shkarkoje Faucin”, raporton Reuters.
Në përgjigje për turmën, Trumpi tha: “Mos i tregoni askujt, por më lejoni të pres deri pak pas zgjedhjeve”.
Fauci është një nga ekspertët e shëndetësisë më të njohur në Amerikë.