Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, me arsyetimin se është shumë përpara kundërshtarëve të tjerë republikanë, nuk ka marrë pjesë në debatin e parë për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2024.
Mirëpo, edhe pse ndoshta janë zgjedhjet më të rëndësishme me të cilat përballet partia republikane, të gjithë kandidatët në këtë debat janë rreshtuar pas Trumpit, duke thënë se do ta mbështesin nëse ish-presidenti fiton nominimin e partisë për garën presidenciale.
Madje do ta mbështesin edhe nëse ai dënohet nga gjykata për aktakuzat që janë ngritur ndaj tij.
Debati shërbeu si përkujtim për pushtetin që vazhdon ta ketë Trumpi në partinë republikane.
Për mungesën e Trumpit është ankuar vetëm ish-zëvendësi i tij, Mike Pence, i cili ka thënë se mungesa e Trumpit ishte mundësi e humbur.
Ndërkaq tetë kandidatët e tjerë kanë shfaqur ndasitë e thella brenda partisë për shumë çështje, përfshirë luftën ruse në Ukrainë, ligjin e abortit dhe kontrollin e kufijve.